Showbiz

Rachel McAdams rrëfen se si u refuzua për shkak të moshës për një rol në “Mean Girls”

Rachel McAdams

Aktorja 47-vjeçare Rachel McAdams ka treguar se fillimisht kishte shkuar në audicion për rolin e Cady Heron në filmin për adoleshentë “Mean Girls” (2004), por nuk u përzgjodh për atë rol, i cili përfundimisht iu dha Lindsay Lohan. Megjithatë, ajo u zgjodh për të luajtur personazhin e Regina George, roli që e bëri ikonë të kulturës pop.

Duke folur për People, McAdams ka kujtuar se regjisori i filmit, Mark Waters, i kishte thënë se ishte “shumë e madhe në moshë” për rolin e Cadyt, por perfekte për Reginën. “Regina ka kaluar disa gjëra më shumë në jetë dhe ka më shumë përvojë se Cady”, i kishte thënë ai, koment që aktorja e mori si kompliment.

Rachel ka rrëfyer se kishte hyrë në audicion pa pritshmëri të mëdha, pasi ishte ende në fillimet e karrierës dhe roli ishte kryesor. “Thjesht shkova dhe u argëtova, sepse nuk mendoja se isha në atë fazë të jetës për t’u zgjedhur”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se ishte shumë e lumtur të merrte çfarëdo roli në film, pasi ishte e bindur se skenari ishte i jashtëzakonshëm dhe filmi do të kishte sukses. “E doja aq shumë skenarin saqë i thashë menaxherit tim se do ta pranoja edhe një rol me vetëm një fjali”, ka deklaruar McAdams.

Ndërkohë, aktorja ka pranuar se nuk e kishte imagjinuar sa shumë do të urrehej personazhi i saj në ekran. Duke folur në “The Graham Norton Show”, ajo tha: “Nuk e dija sa e urryer do të bëhej Regina dhe për sa gjatë”. Ajo kujtoi se gjatë shfaqjes së parë me publikun, njerëzit duartrokitën kur Regina u godit nga autobusi, ndërsa shoqja e saj u ngrit dhe bërtiti: “Jooo!”.