Prokurorët federalë i kanë kërkuar një gjykatësi federal në SHBA që ta refuzojë menjëherë kërkesën e Sean “Diddy” Combs për ta rrëzuar vendimin e jurisë ose që të urdhërojë rigjykim, pasi ai u shpall fajtor nga juria për dy akuza që lidhen me prostitucionin, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Në dokumentet e paraqitura ditë më parë, prokurorët theksuan se Combs kishte “organizuar çdo aspekt” të ngjarjeve seksuale që i detyronte dy ish-partneret e tij të merrnin pjesë, duke punësuar burra eskortë dhe duke ua paguar udhëtimet për të kaluar kufij.
“Dëshmitë për fajësinë e të pandehurit për akuzat sipas ligjit ‘Mann Akt’ (Ligji kundër trafikimit seksual) ishin dërrmuese”, shkruan prokurorët.
Combs u shpall i pafajshëm në muajin korrik për akuzat më të rënda të komplotit për zhvatje dhe trafikim seksual, të cilat do ta rrezikonin me 15 vjet deri në burgim të përjetshëm. Por juria e shpalli fajtor për dy akuza më të lehta sipas ligjit “Mann Akt”, që ndalon lëvizjen ndër-shtetërore të lidhur me prostitucionin. Çdo akuzë mund të sjellë deri në 10 vjet burg. Ai është në paraburgim në Brooklyn që nga arrestimi në muajin shtator të vitit të kaluar dhe pret dënimin më 3 tetor.
Prokurorët përshkruajnë se Combs organizonte “maratona seksuale me drogë”, të cilat i quante “freak-offs” ose “hotel nights”, ku shpesh merrnin pjesë burra eskortë të paguar dhe që zgjasnin ditë të tëra. Ata kanë deklaruar se reperi i përdorte videot e incizuara për të kërcënuar ish-partneret që të vazhdonin të merrnin pjesë.
Në gjykatë ka dëshmuar edhe këngëtarja, Casandra “Cassie” Ventura, e cila ishte në lidhje me Combs nga viti 2008 deri më 2018. Ajo ka thënë se Combs shpesh kërkonte këto takime “çdo javë”, duke e lënë “tepër të lodhur për të punuar në muzikë”. Ventura dëshmoi se kishte marrë pjesë në qindra “freak-offs”.
Një tjetër grua, e identifikuar si “Jane”, ka dëshmuar se gjatë lidhjes së saj me Combs nga viti 2021 deri muajin shtator të vitit të kaluar ishte e detyruar të merrte pjesë në “hotel nights” edhe kur ishte e sëmurë. Ajo tha se këto ngjarje shpesh zgjasnin disa ditë.
Prokurorët kanë shkruar se Combs ushtronte kontroll të madh mbi partneret e tij.
“Gjatë këtyre marrëdhënieve, ai kontrollonte dhe kërcënonte karrierën e Venturës, kontrollonte pamjen e saj dhe paguante shumicën e shpenzimeve të saj, duke ia marrë sendet kur nuk bënte atë që ai kërkonte.”
Po ashtu, sipas tyre, “i pandehuri i paguante Janes qiranë prej 10 mijë dollarësh dhe e kërcënonte se do ta ndalte pagesën nëse ajo nuk i plotësonte kërkesat e tij”.
Nga ana tjetër, avokatët e Combs kanë deklaruar se ligji “Mann Akt” nuk vlen në këtë rast.
Ata argumentuan se “nuk kishte motiv komercial dhe të gjithë të përfshirët ishin të rritur”.
Sipas tyre, burrat që merrnin pjesë “zgjidhnin të udhëtonin dhe të angazhoheshin në këto aktivitete me dëshirë”.
“Verdikti konfirmon se gratë nuk ishin të pambrojtura, të shfrytëzuara, të trafikuara apo të dhunuara seksualisht”, thuhet në deklaratat e avokatëve.
Avokatët gjithashtu kanë deklaruar se Combs “në rastin më të keq, ka paguar për të marrë pjesë si vëzhgues në ndejat “swingers” (në të cilat, pjesëmarrësit ndërrojnë partneret seksuale në mes vete)’” dhe shtuan se kjo “nuk përbën ‘prostitucion’ sipas një definicioni të saktë të ligjit”.