Showbiz

Priyanka Chopra angazhon truproja për të mos i lënë fansat ta fotografojnë pa pëlqimin e saj

Priyanka Chopra

Priyanka Chopra

Foto: Associated Press

Aktorja, Priyanka Chopra, ka zbuluar se ka angazhuar truproja për të parandaluar që fansat ta filmojnë “pa pëlqimin e saj”, sidomos kur është me vajzën e saj të vogël.

43-vjeçja, e martuar me këngëtarin Nick Jonas, me të cilin ka vajzën katërvjeçare, Malti, ka thënë se nuk ka problem të takojë fansa apo të bëjë fotografi me ta, por e shqetëson shumë fakti që njerëzit e filmojnë fshehurazi me telefon.

E pyetur për truprojat që u panë pranë çiftit në një festë në Los Angeles, ajo i tha Variety se nuk e pengon kur njerëzit i kërkojnë të bëjnë fotografi, por nuk dëshiron ta filmojnë pa pëlqimin e saj.

“Jam në rregull që njerëzit të më afrohen dhe të bëjnë foto, dhe ata e dinë që më pëlqen kur vijnë të flasin me mua. Truprojat ishin aty për t’u siguruar që të mos filmohem pa pëlqim. Kjo është gjëja që më shqetëson më shumë, tani që të gjithë kanë telefona. Kjo ndodh shpesh, sidomos me vajzën time. Jemi në park apo duke ngrënë akullore dhe papritur e shoh videon online. Siguria është për këtë arsye. Përndryshe, nuk më duhet. Askush nuk do të më vrasë”, ka thënë ajo.

Chopra ka pranuar gjithashtu se ka një marrëdhënie të ndërlikuar me famën.

“Gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shtytje-tërheqje me famën. E kam ndarë veten në dy pjesë: anën publike dhe anën personale”, është shprehur ajo.

Deklaratat e saj vijnë pasi bashkëshorti i saj foli hapur për periudhën e vështirë që kaluan pas lindjes së vajzës së tyre, e cila erdhi në jetë përmes një nëne surrogate në muajin janar të vitit 2022.

Në podcastin On Purpose, Jonas ka treguar se Malti lindi para kohe dhe kishte nevojë për reanimim menjëherë pas lindjes.

Malti ka qëndruar afro 100 ditë në njësinë e kujdesit intensiv, dhe Jonas ka pranuar se situata ishte shumë e frikshme.

“Këta engjëj në kujdesin intensiv e reanimuan në atë moment dhe u kujdesën për të shumë shpejt, e intubuan dhe bënë gjithçka që duhej. Ishte koha e COVID-it, kështu që unë dhe gruaja ime bënim turne 12-orëshe në spital për tre muaj e gjysmë. Ende më duket sikur e ndiej erën e atij vendi”, ka treguar ai.