Showbiz

Princi William rrëfen se si iu treguan fëmijëve se nëna e tyre ishte diagnostikuar me kancer

Princi dhe princesha e Uellsit me fëmijët e tyre

Princi dhe princesha e Uellsit me fëmijët e tyre

Princi William ka folur hapur për sfidat që ka përjetuar familja mbretërore gjatë vitit 2024, kur bashkëshortja e tij, princesha Catherine dhe babai i tij, Mbreti Charles, u trajtuan për forma të panjohura të sëmundjes së kancerit.

Ai tregoi se ai dhe Catherine kanë zgjedhur të jenë plotësisht të sinqertë me fëmijët e tyre, Princin George 12-vjeçar, Princeshën Charlotte 10-vjeçare dhe Princin Louis 7-vjeçar.

“Çdo familje kalon periudha të vështira dhe përballet me sfida. Ajo që e bën diferencën është mënyra se si i përballon ato”, ka thënë William. “Ne vendosëm t’u tregojmë fëmijëve gjithçka, lajmet e mira dhe ato të këqijat. U shpjeguam pse ndodhin disa gjëra dhe pse mund të ndihen të trishtuar. Fëmijët kuptojnë shumë më tepër se sa mendojmë ne. Ndonjëherë bëjnë pyetje të vështira, dhe jo gjithmonë kemi përgjigje. Por vendosëm të flasim hapur për gjithçka, dhe kjo ndershmëri na mban të bashkuar”

Ai shtoi se të gjithë prindërit përballen me pyetje për të cilat nuk ekziston një manual për t’u përgjigjur. “Nuk ka rregulla për të qenë prind, ne zgjodhëm të jemi të hapur për çdo gjë”.

Princi William me humor tha se shpesh ndihet si “shofer taksie” për fëmijët e tij, duke  treguar se ai dhe Catherine përpiqen të jenë sa më të përfshirë në jetën e tyre të përditshme, shkruan Female First.

“Takime me shokë, sporte, ndeshje, lojëra në kopsht sa herë që mundem. Pothuajse çdo ditë i çojmë në shkollë. E ndajmë me Catherine, por ajo ndoshta e bën pjesën më të madhe,” u shpreh ai me buzëqeshje.

Çifti mbretëror ka vendosur të mos  u japë ende fëmijëve telefona celularë, duke ndjekur një qasje të kujdesshme për t’i mbrojtur nga rreziqet online.

“Është shumë e vështirë,” tha William. “Fëmijët tanë nuk kanë telefona. Kur George të kalojë në shkollë të mesme, ndoshta do të ketë një me qasje të kufizuar. U shpjegojmë pse mendojmë se nuk është e drejtë që të kenë qasje të plotë, sepse fëmijët shpesh shohin gjëra që nuk duhet. Por me kufizime, mund të jetë e dobishme”.

Në fund, princi foli me emocion për trashëgiminë e nënës së tij, Princeshës Diana, duke thënë se e mban gjithmonë me vete.

Duke parë një fotografi të Dianas gjatë vizitës në Brazil në vitin 1991, ku ajo përqafoi një fëmijë me HIV, William tha: “E mbaj trashëgiminë e saj humanitare dhe sociale me vete çdo ditë”.