Showbiz

Podcastet, kategoria e re e spektakleve të çmimeve prestigjioze

Podcastet

Podcastet

Podcastet po hyjnë zyrtarisht në botën e çmimeve prestigjioze të Hollywoodit.

Përfaqësuesit e spektaklit të njohur të ndarjes së çmimeve “Golden Globes” patën njoftuar se nga viti 2026 do të shtojnë për herë të parë kategorinë “Podcasti më i mirë”, duke reflektuar ndikimin gjithnjë e më të madh kulturor të këtij formati.

The Independent ka raportuar se në Shtetet e Bashkuara, gjithnjë e më shumë të rinj dëgjojnë podcaste sesa që shikojnë televizion tradicional.

Sipas të dhënave, rreth 40 për qind e amerikanëve dëgjojnë podcaste dhe gjysma e tyre thonë se u besojnë më shumë podcasteve sesa mediave tradicionale të lajmeve. Madje, shumë milenialë (gjenerata e individëve të lindur në mes viteve 1981 dhe 1996), shprehen se do të preferonin të takonin prezantuesin e tyre të preferuar të një podcasti, sesa një yll filmi apo televizioni.

Industria e filmit dhe televizionit po e merr seriozisht këtë ndryshim.

“Podcasting është shndërruar në një nga formatet më dinamike dhe më me ndikim të kohës sonë”, ka thënë Helen Hoehne, presidente e “Golden Globes”.

Sipas saj, çmimi i ri do të nderojë podcastin më të mirë të vitit dhe do të prezantohet në edicionin e 83-të të ceremonisë, më 11 janar 2026.

Në botë ekzistojnë mbi 4.5 milionë podcaste, çka e bën përzgjedhjen e fituesit sfidë mjaft të madhe.

Për këtë arsye, “Golden Globes” kanë angazhuar kompaninë analitike “Luminate”, e cila do të përzgjedhë 25 podcastet më të spikatura bazuar në madhësinë e audiencës dhe ndikimin në treg.

Në listë përfshihen podcaste lajmesh, si dhe emra të njohur si Tucker Carlson, Ben Shapiro dhe Amy Poehler.

Sipas basteve, favoritë janë “The Joe Rogan Experience”, podcasti më i dëgjuar në SHBA, dhe “Call Her Daddy”, një emision që trajton tema mbi seksin dhe marrëdhëniet.

Pavarësisht se kush do të fitojë, ky çmim është dëshmi e rritjes së shpejtë të këtij formati.

Termi “podcast” u përdor për herë të parë në vitin 2004 për të përshkruar emisione audio të shkarkueshme.

Që atëherë, ai ka kaluar “nga një format i vogël niche në një forcë kulturore”, ka thënë Roman Wasenmüller, drejtues i biznesit të podcasteve në platformën Spotify.

Sipas vlerësimeve të Luminate, deri në vitin 2026 rreth 600 milionë njerëz në botë do të dëgjojnë podcaste.

Kategoria e re pasqyron edhe lidhjen gjithnjë e më të fortë mes podcasteve dhe ekranit. Serialet e suksesshme televizive, si “Severance”, tashmë ofrojnë podcaste shoqëruese me intervista nga aktorët dhe ekipi realizues.

“Podcastet janë bërë një inkubator kreativ për histori të reja”, ka thënë Helen Hoehne.

Disa prej tyre janë shndërruar në seriale televizive të suksesshme, si “The Dropout”, që rrëfen historinë e rënies së kompanisë “Theranos”, apo “Homecoming”, që u adaptua në një film me aktoren Julia Roberts.

Nga ana tjetër, edhe vetë podcastet po i ngjajnë gjithnjë e më shumë televizionit.

Prezantuesit publikojnë versione video të emisioneve për të arritur audiencë më të gjerë.

Koha e kaluar duke parë përmbajtje video në Spotify u rrit me 44 për qind gjatë vitit 2024.

Megjithatë, disa fansa shqetësohen se podcastet mund të “kthehen në një formë tjetër të televizionit të lirë”, siç vëren James Cridland nga buletini i industrisë Podnews.

Megjithatë, ky transformim është pjesë e një ndryshimi më të gjerë në industrinë mediatike.

Ashtu si krijuesit online po sfidojnë televizionin tradicional, YouTube është shndërruar në platformën më të madhe për podcaste.

Sipas disa vlerësimeve, rreth një miliard njerëz në muaj i ndjekin aty. Deri në vitin 2026, kufiri mes audios dhe videos pritet të bëhet edhe më i paqartë.

Në këtë kontekst, vendimi i “Golden Globes” për të përfshirë podcastet flet shumë për mënyrën se si po ndryshon kultura e konsumit mediatik dhe çfarë konsiderohet sot argëtim dhe ndikim kulturor.