Një peticion ka nisur në Bratislavë për të ndaluar paraqitjen e artistit Kanye West në një festival në Sllovaki.
Qytetarët i kanë kërkuar kryetarit të Bashkisë së Bratislavës të ndalojë Kanye West – ligjërisht i njohur si Ye – nga performimi si kryeartist në një festival në kryeqytetin sllovak, duke e quajtur paraqitjen e planifikuar “një fyerje për kujtesën historike, një lavdërim të dhunës së kohës së luftës dhe një poshtërim për të gjitha viktimat e regjimit nazist”.
Festivali Rubicon, i cili do të mbahet në Bratislavë, pretendon se ka siguruar një performancë ekskluzive nga “vizionari i hip-hopit dhe ikona kulturore”, në mes të korrikut.
Më shumë se 3.500 njerëz e kanë nënshkruar tashmë peticionin, i cili është mbështetur nga përfaqësues të organizatave si “Paqe për Ukrainën” dhe “Qytetet për Demokracinë”. Peticioni kërkon heqjen e Westit nga lista e artistëve pjesëmarrës, duke e akuzuar atë për “mbështetje të përsëritur dhe të hapur ndaj simboleve dhe ideologjive të lidhura me periudhën më të errët të historisë moderne botërore”.
Nënshkruesit e peticionit e quajnë Westin “një nga antisemitët më të njohur në botë”, duke përmendur se ai ka shitur një bluzë me simbole naziste në faqen e tij zyrtare.
Më 8 maj, në 80-vjetorin e kapitullimit të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, muzikanti 48-vjeçar publikoi një këngë të titulluar “Heil Hitler”. Kënga përfundon me një fragment nga një fjalim i Adolf Hitlerit i mbajtur në vitin 1935, ku ky i fundit u bën thirrje ndjekësve të tij të “ngrihen për mua, ashtu siç jam ngritur unë për ju”, shkruan The Guardian.
Kjo këngë u ndalua në Gjermani në bazë të ligjeve kundër simbolikës ekstremist edhe gjuhës së urrejtjes dhe u hoq nga shumica e platformave kryesore të transmetimit, megjithatë ajo u përhap dhe gjeti mbështetje në rrjetin X të Elon Muskit.
Peticioni e konsideron “të papranueshme që Bratislava të jetë i vetmi qytet në Evropë që pret një performancë të Kanye West, jo për shkak të shprehjes së tij muzikore, por për shkak të qëndrimeve të tij publike të rrezikshme, të cilat bien ndesh me kujtesën evropiane dhe përgjegjësinë historike.
Ai thekson se kjo paraqitje mund të tërheqë “grupe radikale dhe ekstremiste nga Sllovakia dhe jashtë saj”, dhe paralajmëron për “shqetësime të ligjshme lidhur me paraqitjen e simbolikës naziste, sjellje të dhunshme apo përhapje të ideologjive që janë të papranueshme në një shoqëri demokratike dhe të dënueshme në vendin tonë”.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, më shumë se 70,000 hebrenj sllovakë u internuan në kampe përqendrimi, iu dorëzuan autoriteteve gjermane dhe u vranë.
Në muajin qershor, West u shfaq shkurtimisht në gjyqin për trafikim seksual ndaj Sean “Diddy” Combs, në shenjë mbështetjeje për producentin muzikor. Ai pritet të publikojë së shpejti një version të plotë të albumit të tij të 12-të, Bully, pasi versione të paplota u shfaqën më herët këtë vit.