Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Pepsi tërhiqet nga sponsorizimi i festivalit në Londër pas reagimeve për Kanye West

Kanye West

Kanye West

Foto: Associated Press

Kompania e njohur Pepsi ka njoftuar se po tërhiqet si sponsori kryesor i festivalit muzikor Wireless Festival në Londër që do të mbahet këtë verë, pasi u bë e ditur se reperi amerikan Kanye West do të jetë artisti kryesor në të tri netët e ngjarjes, ka raportuar BBC.

Reperi, i cili tash përdor emrin Ye, ka qenë në qendër të kritikave të forta në vitet e fundit për deklarata antisemitike. Ani pse ai ka kërkuar falje në muajin janar, reagimet publike kanë vazhduar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kryeministri britanik Keir Starmer e quajti “shumë shqetësuese” pjesëmarrjen e tij në festival.

“Antisemitizmi në çdo formë është i neveritshëm dhe duhet të përballet me vendosmëri kudo që shfaqet. Secili ka përgjegjësi që Britania të jetë një vend ku komuniteti hebre ndihet i sigurt”, ka thënë ai.

Edhe kompania Diageo ka vendosur të tërhiqet nga sponsorizimi i festivalit “në formën aktuale”. Dy nga markat e saj kryesore, “Johnnie Walker” dhe “Captain Morgan”, ishin listuar si partnerë të ngjarjes.

“Kemi njoftuar organizatorët për shqetësimet tona dhe, në këtë situatë, Diageo nuk do të sponsorizojë festivalin Wireless 2026”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë

Ndërkohë, lideri i Demokratëve Liberalë, Ed Davey, ka kërkuar që reperit t’i ndalohet hyrja në Britani.

“Duhet të jemi më të ashpër ndaj antisemitizmit”, ka thënë ai, duke e cilësuar këtë çështje si “jashtëzakonisht serioze”.

Edhe figura të tjera politike kanë reaguar. 

“Po shohim një rritje të madhe të antisemitizmit në gjithë botën dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta ndalur këtë urrejtje”, ka deklaruar ministrja për qeverisje komunale, Kemi Badenoch.

Ndërsa politikani britanik Nigel Farage u shpreh shkurt. “Personalisht, nuk do të blija biletë”.

Reperi nuk performon në Britani që nga viti 2015, kur ishte artisti kryesor në festivalin “Glastonbury”. Megjithatë, tre këngë nga albumi i tij më i fundit “Bully”, i publikuar në muajin mars, ndodhen aktualisht në top-listat britanike.

Organizatorët e festivalit e kanë përshkruar ngjarjen, që pritet të mbahet nga 10 deri më 12 korrik në veri të Londrës, si një “udhëtim treditor nëpër hitet më ikonike”.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit hebre në Britani kanë kërkuar që West të mos lejohet të hyjë në vend, për shkak të deklaratave të tij të mëparshme.

“Deklaratat dhe veprimet e mëparshme të këtij artisti janë ofenduese dhe të gabuara, dhe nuk përfaqësojnë vlerat e Londrës”, ka deklaruar zyra e kryetarit të Londrës, Sadiq Khan.

Organizatorët e festivalit dhe përfaqësuesit e reperit ende nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar.