Sean “Diddy” Combs nuk do të lirohet me kusht, pasi gjyqtari ka vendosur se ai paraqet rrezik për arratisje apo për komunitetin. Kjo është hera e pestë që kërkesa e tij për lirim me kusht refuzohet, ka raportuar The Washington Post.
Reperi dhe producenti i njohur, i cili po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Brooklyn që nga shtatori 2024, u arrestua nën akuza të rënda për trafikim seksual. Megjithëse është shpallur i pafajshëm për akuzat për trafikim seksual dhe shantazh, ai është shpallur fajtor për dy akuza për “transportim me qëllim prostitucioni” dhe dënimi ndaj tij pritet të shpallet më 3 tetor. Ai mund të dënohet me burgim deri në 20 vjet.
“Gjykata duhet të gjejë, përmes provave të qarta dhe bindëse, që i pandehuri nuk ka gjasa të arratiset apo të përbëjë rrezik për sigurinë e ndonjë personi tjetër ose të komunitetit nëse lirohet. Në këtë rast, Combs përbën një rrezik të tillë”, ka shkruar gjyqtari Arun Subramanian në dokumentet e siguruara nga revista People.
Gjyqtari ka shtuar se për vendim të ndryshëm, do të duheshin “arsye të jashtëzakonshme”, siç janë rrethana të rralla shëndetësore apo mosha e shtyrë, të cilat nuk ekzitojnë në këtë rast.
“Ai nuk ka arritur të dëshmojë se ka të drejtë për lirim me kusht”, përfundoi gjykatësi.
Pavarësisht kësaj, ish-e dashura e tij Virginia “Gina” Huynh, e identifikuar si “viktima numër tre” në procesin gjyqësor, i doli në mbrojtje me një letër drejtuar gjykatës ku kërkonte që ai të lirohej.
“Unë nuk e shoh z. Combs si një rrezik për mua apo për komunitetin. Kjo është çështja e tij e parë penale. Gjatë hetimeve dhe gjyqit, ai ka qenë bashkëpunues, i respektueshëm dhe i përmbajtur”, thuhet në letrën e saj.
Ajo ka theksuar se ai ka lidhje të forta me familjen dhe komunitetin.
“Ka fëmijë që varen nga ai emocionalisht dhe financiarisht. Lirimi me kusht do t’i mundësonte ta vazhdojë kujdesin për familjen e tij, nën mbikëqyrjen e gjykatës”, thuhet tutje në letër.
Huynh ka theksuar se Diddy është përpjekur të përmirësohet si njeri.
“Marrëdhënia jonë, si shumë të tjera, ka pasur ngritje dhe ulje. Gabime janë bërë, por ai i ka pranuar ato dhe ka treguar gatishmëri për të marrë vendime më të mira. Me kalimin e viteve, ai ka bërë përpjekje të dukshme për t’u bërë një njeri më i mirë dhe për të adresuar dëmet që ka shkaktuar”, ka thënë ndër të tjera ajo.
“Në kohën kur marrëdhënia jonë përfundoi, ai kishte një energji dashurie, durimi dhe butësie që ishte ndryshe nga sjellja e tij e mëhershme. Për sa di unë, ai nuk ka qenë i dhunshëm prej vitesh dhe është përkushtuar që të jetë para së gjithash një baba”, ka shtuar ajo.
Avokatët e Diddy-t kishin kërkuar që ai të lirohej me dorëzani prej 50 milionë dollarësh, por kërkesa u refuzua për të pestën herë.