Showbiz

P.Diddy synon të rikthehet në skenë me një koncert në Madison Square Garden

P.Diddy

Foto: Associated Press

Reperi Sean “Diddy” Combs, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në pritje të dënimit lidhur me akuzat për “transport me qëllim prostitucioni”, synon të bëjë rikthimin e tij të madh në skenë me një koncert në Madison Square Garden, sipas avokatit të tij kryesor.

Në një intervistë për CBS Mornings, avokati i tij, Marc Agnifilo, ka thënë se Diddy e ka shumë të qartë qëllimin e tij pas daljes nga burgu.

“Ai do të kthehet në Madison Square Garden, dhe unë i thashë që do të jem aty”, u shpreh Agnifilo për gazetaren Jericka Duncan.

Ai ka shtuar se Combs dëshiron të rikthehet te “nëna e tij dhe njerëzit që e duan dhe u mungon” dhe ka thënë se beson se ai dëshiron të rindërtojë një marrëdhënie të dashur me të shtatë fëmijët e tij.

Kur gazetarja e pyeti nëse Combs ka folur me të për rikthimin në muzikë, avokati tha se “Jo”

“Jo, sinqerisht, nuk e ka bërë. Ok, një gjë që ka thënë ... është se ‘do të kthehem në Madison Square Garden’”, ka thënë Agnifilo.

Kur ajo nguli këmbë duke pyetur “Duke bërë çfarë?”, Agnifilo u përgjigj: “Besoj, duke qenë në skenë, apo jo?”

Diddy, 55 vjeç, u shpall fajtor më 2 korrik në gjykatën federale në New York për dy akuza për “transport me qëllim prostitucioni”. Ai u lirua nga akuzat më të rënda për trafikim njerëzor dhe përfshirje në organizata kriminale, por rrezikon të dënohet deri me 20 vjet burgim. Aktualisht ndodhet në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn, ndërsa shpallja e dënimit është caktuar për datën 3 tetor 2025.

Avokati Agnifilo e përshkroi Combsin si dikë që “gjithmonë synon të bëjë diçka ... të jashtëzakonshme e sfiduese”.

Gjatë gjithë kohës që ndodhet në burg që nga arrestimi në shtator të vitit 2024, Diddy ka tentuar disa herë të lirohet me kusht, duke ofruar edhe dorëzani prej 50 milionë dollarësh dhe kufizime të rrepta udhëtimi, por kërkesat janë refuzuar vazhdimisht nga gjykatësi Arun Subramanian, i cili cilësoi se ka  “rrezik për arratisje” dhe se ai përbën “rrezik për shoqërinë”.

Ndërkohë, ka spekulime për një mundësi faljeje presidenciale për Combsin.

“Nga sa kam kuptuar, kemi kontaktuar dhe kemi zhvilluar bisedime në lidhje me një falje”, ka thënë avokatja tjetër e tij, Nicole Westmoreland

Ajo ka shtuar se Combs është një person shumë shpresëplotë, dhe beson se ai vazhdon të mbetet i tillë. Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump, i cili dikur kishte marrëdhënie të afërt me Diddyn, sa i përket faljes, ka thënë se është më shumë për “jo” për shkak të konflikteve që kanë pasur në të kaluarën.

Trump e ka përshkruar Combsin si “në thelb... gjysmë i pafajshëm,” por ka theksuar se marrëdhënia e tensionuar e bën të vështirë një akt faljeje.