Miliarderi i muzikës, Sean “Diddy” Combs po kërkon nga gjykata të lirohet me kusht duke ofruar dorëzanin prej 50 milionë dollarësh, ndërsa pret dënimin në tetor, pas vendimit të fundit të jurisë që e shpalli të pafajshëm për akuzat më të rënda federale ndaj tij, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
Në një parashtresë të paraqitur të martën, avokati i tij, Marc Agnifilo, ka argumentuar se kushtet në qendrën e paraburgimit Metropolitan Detention Center në Brooklyn janë të rrezikshme dhe se të tjerët të dënuar për vepra të ngjashme, të lidhura me prostitucionin, zakonisht janë liruar para shqiptimit të dënimit.
“Sean Combs nuk e meriton të jetë në burg për këtë gjë. Në fakt, mund të jetë i vetmi njeri në Amerikë që ndodhet në burg për arsye se ka paguar për marrëdhënie seksuale, dhe sigurisht i vetmi që është në burg për shkak se ka paguar burra eskortë për veten dhe të dashurën e tij”, ka deklaruar Agnifilo.
Prokuroria federale në Manhattan nuk ka komentuar menjëherë lidhur me kërkesën. Më parë, ata kanë theksuar se Combs përbën rrezik për arratisje.
Combs, 55 vjeç, përballet me deri në 10 vjet burg për dy akuza që lidhen me transportimin e personave nëpër shtete për qëllime prostitucioni, përfshirë të dashurat e tij dhe burra eskortë të cilët fluturonin me aeroplanë për takime seksuale.
Nëse do të ishte shpallur fajtor për komplot për zhvatje apo trafikim seksual, ai mund të ishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Menjëherë pas shpalljes së pafajësisë më 2 korrik, avokati Agnifilo kishte kërkuar që Combs të lirohej me kusht, por gjyqtari Arun Subramanian e kishte refuzuar kërkesën, duke thënë se Combs nuk e kishte vërtetuar në mënyrë të qartë dhe bindëse që nuk përbënte rrezik për ndonjë person apo për komunitetin.
Combs aktualisht ndodhet në burgun MDC Brooklyn, e vetmja qendër federale e paraburgimit në qytetin e New Yorkut, ku më parë kanë qenë të burgosur edhe emra të njohur si R. Kelly, Ghislaine Maxwell dhe mashtruesi i kriptovalutave Sam Bankman-Fried.