Showbiz

P.Diddy kërkon të anulohen vendimet për fajësi ose të rigjykohet

P.Diddy në gjyq

P.Diddy në gjyq

Foto: Associated Press

Sean “Diddy” Combs ka kërkuar nga gjykata federale që të hedhë poshtë vendimet për fajësi në dy akuza që lidhen me prostitucionin, ose të urdhërojë gjykim të ri. Avokatët e tij pretendojnë se dënimi i Combsit për shkelje të “Mann Akt”, një ligj federal që ndalon transportin ndërshtetëror për qëllime prostitucioni, është i pashembullt dhe i paqëndrueshëm në bazë të ligjit.

“Ky dënim qëndron vetëm, por nuk duhet të qëndrojë fare”, thuhet në dokumentin e dorëzuar të mërkurën nga ekipi ligjor i Combsit, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.

Avokatët argumentojnë se Combs, 55 vjeç, është personi i vetëm i njohur që është dënuar ndonjëherë për një sjellje të tillë sipas “Mann Akt”. Ai është shpallur fajtor për dy akuza për “transportim me qëllim prostitucioni” pasi kishte organizuar udhëtime për gra dhe burra të rritur që të udhëtonin për takime seksuale. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda si trafikim seksual dhe konspiracion mafioz, që mund t’i sillnin burgim të përjetshëm.

Sipas avokatëve, në këtë rast mungojnë të gjitha elementet që zakonisht përbëjnë shkelje të “Mann Akt”, si përfitimi financiar apo detyrimi i personave për të kryer veprime seksuale.

“Është e padiskutueshme që ai nuk kishte ndonjë motiv komercial dhe se të gjithë të përfshirët ishin të rritur. Burrat zgjodhën vetë të udhëtonin dhe të merrnin pjesë në aktivitet. Vendimi i jurisë konfirmon se gratë nuk ishin të pambrojtura, të shfrytëzuara, të trafikuara apo të dhunuara seksualisht”, thuhet në dokument.

Sipas mbrojtjes, në rastin më të keq, Combs “kishte paguar për të marrë pjesë në akte ‘voyeurizmi’ si pjesë e një stili jetese ‘swingers’”, dhe kjo, siç thuhet, “nuk përbën prostitucion sipas përkufizimit të saktë ligjor të termit”.

Kërkesa e fundit i drejtohet gjykatësit Arun Subramanian që të anulojë vendimin e jurisë, ose të urdhërojë gjykim të ri që të fokusohet vetëm te akuzat sipas “Mann Akt”, për shkak të “paragjykimeve të theksuara të shkaktuara nga prova të shumta tronditëse” që lidhen me akuzat më të rënda për trafikim dhe dhunë seksuale.

Gjatë gjykimit tetëjavor, prokurorët pretenduan se Combs kishte detyruar dhe kërcënuar dy ish-të dashura për të kryer marrëdhënie seksuale me meshkuj të tjerë, dhe se kishte ushtruar dhunë ndaj tyre për të kontrolluar sjelljen e tyre.

Një ditë para kësaj kërkese, Combs kishte kërkuar të lirohej me dorëzani prej 50 milionë dollarësh deri në seancën e dënimit që pritet të mbahet më 3 tetor. Avokatët e tij argumentuan se kushtet në qendrën e paraburgimit në Brooklyn janë të rrezikshme, dhe se persona të tjerë të dënuar për vepra të ngjashme zakonisht janë liruar deri në shpalljen e dënimit.

Por gjyqtari Subramanian kishte refuzuar më herët një kërkesë për lirimin e tij me kusht, duke u bazuar në një video të njohur ku Combs shihet duke rrahur ish-të dashurën dhe fotografi të plagëve të një tjetër ish-partnereje.

Gjykatësi ende nuk ka marrë vendim për asnjërën nga dy kërkesat e kësaj jave.