Dokumentari i ri për zonjën e parë të SHBA-së, Melania Trump, ka tejkaluar pritjet në arkat filmike, pavarësisht kritikave të ashpra nga recensentët e filmit.
Projekti filmik, me titull “Melania: 20 Days to History”, ka fituar mbi 7 milionë dollarë (rreth 5.1 milionë paund) në fundjavën e parë pas lansimit në kinematë amerikane, ani pse IMDb e ka notuar me notën 1.4.
Parashikimet fillestare ishin që të siguronte rreth 5 milionë dollarë, por sipas Variety, rezultati ishte “një fillim i madh për një dokumentar”, ndërsa The Hollywood Reporter ka shkruar se “askush nuk e kishte parashikuar këtë”.
Dokumentari shfaq jetën e Melania Trump në ditët para inaugurimit të bashkëshortit të saj, Donald Trump, në muajin janar të vitit 2025. Vetë Melania është një nga producentet e filmit.
Projekti thuhet se u bë dokumentari më i shtrenjtë ndonjëherë, pasi Amazon pagoi 40 milionë dollarë për të drejtat e shpërndarjes dhe edhe 35 milionë dollarë të tjera për marketingun. Megjithatë, për të arritur pikën e barazimit financiar, filmi duhet të arkëtojë shumë më tepër, dhe disa analistë sugjerojnë se marrëveshja e Amazon mund të ketë më shumë lidhje me politikën sesa me fitimin e menjëhershëm.

Sipas Deadline, filmi ka shënuar fundjavën më të suksesshme të hapjes për një dokumentar në dhjetë vitet e fundit.
Melania ka deklaruar se filmi është “dashur nga të gjithë”, duke iu referuar vlerësimit “A” që mori nga CinemaScore, bazuar në anketat me shikuesit në kinema. Në platformën Rotten Tomatoes, ai ka 99 për qind vlerësim nga publiku, por vetëm 10 për qind nga kritikët, një dallim i madh mes reagimit të audiencës dhe recensentëve.
Kritiku i Variety, Owen Gleiberman, e ka cilësuar dokumentarin si “aq të orkestruar dhe të rregulluar me kujdes, sa mezi arrin nivelin e një reklame të paturpshme”.
Ndërsa William Thomas i revistës Empire e ka quajtur “një portret servil të administratës aktuale amerikane, i veshur me shkëlqim të tepruar të stilit reality-TV”.
Një vlerësim disi më pozitiv erdhi nga Melanie McDonagh në London Evening Standard, e cila, ndonëse pranoi kritikat “therëse”, shtoi se “për ata që e pranojnë se për çka bëhet fjalë, Melania, e kuruar nga vetë Melania, është mjaft intriguese”.

Motivet e Amazon për të paguar një shumë kaq të lartë janë vënë në pikëpyetje.
Sipas Hollywood Reporter, marrëveshja prej 40 milionë dollarësh për të drejtat globale të shpërndarjes është parë gjerësisht si një përpjekje për t’u afruar me Shtëpinë e Bardhë.
Edhe The New York Times ka raportuar se në Hollywood po shtrohet pyetja nëse promovimi i filmit është më shumë një përpjekje për të fituar simpati nga presidenti Trump.
I pyetur nga New York Times, përfaqësuesit e Amazonit kanë përsëritur një deklaratë të mëhershme: “Ne e morëm filmin për një arsye dhe vetëm për një arsye, sepse mendojmë se klientët do ta duan”.
Marrëveshja ka përfshirë gjithashtu të drejtat për një seri të ardhshme dokumentare për Melania Trump.
“Jemi shumë të inkurajuar nga fillimi i fortë dhe reagimi pozitiv i publikut, me arkëtime që tejkaluan pritjet tona. Ky është një hap i parë i rëndësishëm në atë që ne e shohim si një jetëgjatësi të gjatë për filmin dhe serinë dokumentare, përtej kinemave dhe në platformën tonë transmetuese”, ka thënë për Variety, Kevin Wilson, drejtues i shpërndarjes kinematografike në Amazon MGM.
Filmi pati veçanërisht sukses te gratë e bardha më të moshuara në shtete si Texas dhe Florida, që konsiderohen bastione pro-Trump.
Dokumentari po shfaqet edhe në kinematë e Britanisë, por shifrat e arkëtimeve atje nuk janë bërë ende publike.
Projekti filmik është drejtuar nga Brett Ratner, projekti i tij i parë që nga viti 2017, kur u përball me akuza për sjellje të papërshtatshme seksuale, të cilat ai i ka mohuar.
Gjatë fundjavës së kaluar, BBC ka raportuar se u publikuan fotografi të vjetra të tij me të ndjerin Jeffrey Epstein dhe dy gra. Nuk ka asnjë indikacion për shkelje ligjore nga dokumentet e publikuara.
BBC ka kontaktuar përfaqësuesit e Ratner për koment.
VIDEO: Traileri