Këngëtarja 27-vjeçare, Paris Jackson, ka dorëzuar një dokument të ri ligjor lidhur me mosmarrëveshjen e saj me administratorët John Branca dhe John McClain, duke shprehur shqetësime serioze për mënyrën se si është administruar pasuria e babait të saj për vitin fiskal 2021. Ajo dhe vëllezërit e saj Prince dhe Bigi, raportin e kishin marrë në shtator të po atij viti.
Sipas dokumenteve të siguruara nga revista People, Paris ka vënë në dukje shuma të mëdha parash që sipas saj, mbeten të painvestuara nga administratorët, duke ngritur dyshime se vendimet e tyre biznesore nuk janë në interes të përfituesve të pasurisë, pra fëmijëve të Michael Jacksonit.
“Paris është gjithnjë e më e shqetësuar se pasuria është shndërruar në një mjet për t’i mundësuar John Brancas të pasurohet dhe të rrisë ndikimin e tij, në vend që të shërbejë për interesat e përfituesve dhe të ruajë me përkushtim trashëgiminë e të atit”.
Ajo pretendon se vetëm në vitin 2021, ekzekutorët kanë marrë mbi 10 milionë dollarë kompensim nga pasuria, më shumë se dyfishi i shumës së shpërndarë për ndonjë përfitues nga fondi familjar. Paris llogarit se shpërblimet totale të Brancas dhe McClain që nga vdekja e Michael Jacksonit në vitin 2009 deri në vitin 2021 arrijnë në 148.2 milionë dollarë, shumë që “tejkalon shumëfish” gjithçka që ka përfituar ajo apo vëllezërit e saj.
Aktorja e filmit The Star akuzon ekzekutorët se po mbajnë mbi 464 milionë dollarë para të gatshme me fitim nën 0.1%, për shkak të “investimeve joproduktive”, duke argumentuar se pasuria mund të kishte gjeneruar rreth 41 milionë dollarë përfitim shtesë me një menaxhim më efikas.
Në ankesë ngrihen edhe shqetësime për investime në projekte “të rrezikshme” të industrisë së argëtimit, pa ekspertizë të mjaftueshme, përfshirë edhe biografinë e re filmike për Michael Jacksonin, ku Branca shërben si producent ekzekutiv dhe ku rolin e Michaelit pritet ta luajë aktori Miles Teller.
Në dokumente theksohet se pasuria “është shndërruar në një fond privat investimesh argëtimi, i menaxhuar më shumë për përfitimin e ekzekutorëve dhe avokatëve të tyre sesa të përfituesve”.
Llogaritë financiare për vitet pas 2021 nuk janë zbuluar ende, dhe Paris beson se vonesat po përdoren për ta mbajtur pasurinë të “hapur në mënyrë të pacaktuar”.
Burime pranë pasurisë e kanë cilësuar padinë e Parisit si “të gabuar”. Një burim për People është shprehur: “Kjo është një përpjekje tjetër e gabuar nga avokatët e Paris Jacksonit për të krijuar alibi për veten e tyre. Ata humbën çështjen e fundit kundër Pasurisë dhe janë urdhëruar të paguajnë shpenzimet ligjore. Të gjithë përfituesit janë të mirëkujdesur. Kjo është një përpjekje e dobët për të ndryshuar narrativën.”
Në tetor, administratorët paraqitën një kërkesë ku pretendojnë se Paris ka marrë rreth 65 milionë dollarë përfitime nga pasuria ndër vite, dhe theksuan se e kanë marrë një pasuri të rrënuar nga borxhet, mbi 500 milionë dollarë në momentin e vdekjes së këngëtarit dhe e kanë shndërruar në një “fuqi të industrisë muzikore”.
Branca dhe McClain kanë hedhur poshtë edhe pretendimin e Parisit se ata kanë dhënë 625 mijë dollarë “dhurata dhe shpërblime” për tre firma ligjore, duke e quajtur atë pretendim “komplet të pavërtetë”.
Paris kërkon që gjykata të mos e pranojë raportin financiar të vitit 2021 dhe të urdhërojë ekzekutorët të dorëzojnë një llogari të re “të bazuar në veprimet e tyre të vërteta”.
Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për 13 janar 2026.