Ylli televiziv, Paris Hilton ka zbuluar se dëshiron të bashkëpunojë me këngëtaren e njohur, Britney Spears dhe se së fundmi kanë folur për mundësinë e krijimit të disa projekteve muzikore të reja së bashku.
44 vjeçja, e cila ka publikuar albumin e saj të parë muzikor “Paris” në vitin 2006 dhe u rikthye në muzikën pop me albumin “Infinite Icon” në vitin 2024, ka thënë se aktualisht po punon në albumin e saj të tretë.
Gjatë kësaj periudhe, ajo ka diskutuar edhe me Spearsin për një bashkëpunim të mundshëm.
“Po flisnim për të bërë muzikë argëtuese. Së fundmi isha me të dhe po flisnim sërish për muzikën. Do ta shohim se çfarë do të ndodhë. Kjo do të ishte gjëja më ikonike ndonjëherë. Do të ishte një ëndërr e bërë realitet”, ka thënë Hilton për revistën Attitude.
Hilton e ka cilësuar albumin “Blackout” të vitit 2007 si të preferuarin e saj nga Spears, duke e përshkruar këngëtaren si një figurë të fortë dhe autentike.
Kënga "Piece of Me" nga albumi "Blackout" i Britney Spearsit:
“Ishte thjesht ajo duke qenë vetvetja. Ajo është një nga gratë më të forta që njoh. Princesha absolute e pop-it, me zemrën më të madhe. Ai album është jashtëzakonisht i fortë”, ka thënë ajo.
Deklaratat Hiltoni i ka bërë pasi ka folur edhe për lidhjen që ajo dhe Spears kanë krijuar përmes traumave të përbashkëta të përjetuara në vitet 2000, kur të dyja ishin vazhdimisht në qendër të vëmendjes publike.
“Po, isha me Britney disa javë më parë për ditëlindjen e saj në Meksikë dhe po flisnim për sa mizorë dhe dashakeqë ishin njerëzit atëherë. Ka shumë pak njerëz që mund ta kuptojnë këtë përvojë në atë nivel. Kjo na ka bërë të dyjave shumë të forta”, ka thënë Hilton në podcastin I’ve Never Said This Before me Tommy DiDario.
Ajo ka folur edhe për përvojën e saj personale në atë periudhë, duke pranuar se jeta në qendër të vëmendjes ishte shpesh izoluese.
Kënga "Stars Are Blind" nga Paris Hilton"