Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Paramount” do ta rikthejë në ekran horrorin e famshëm “A Nightmare on Elm Street”

“A Nightmare on Elm Street”

“A Nightmare on Elm Street”

Foto: Associated Press

Franshiza legjendare e filmave horror “A Nightmare on Elm Street” po rikthehet në ekran, pasi “Paramount Pictures” ka siguruar të drejtat e skenarit origjinal të filmit të vitit 1984, të cilin e kishte shkruar mjeshtri i horrorit Wes Craven, shkruan “Variety”.

Lajmi shënon kapitull të ri për historinë që prezantoi një nga personazhet më ikonike të kinemasë së frikës, Freddy Krueger.

E veja e Wes Cravenit, Iya Labunka, e cila do të jetë producente së bashku me djalin e regjisorit, Jonathan Craven, ka thënë se familja është e emocionuar për rikthimin e historisë.

“Mezi presim t’ia prezantojmë botën e ‘A Nightmare on Elm Street’ një brezi të ri fansash plot pasion. E dimë se Wes do të ishte i lumtur të shihte se si zhanri horror më në fund po merr vendin që meriton në kulturën popullore. Mezi presim të ulemi sërish të gjithë në një kinema të errët, rreth zjarrit modern të kampit, për të parë kapitullin e ri të kësaj historie”, ka thënë ajo.

Producentët J.D. Lifshitz dhe Rachael Margules, nga labeli i ri “Paramount Primal”, e kanë cilësuar projektin privilegj të jashtëzakonshëm.

Edhe Don Mancini rikthen “Chuckyn” në kinema me film të ri horror Showbiz 2 muaj më parë Don Mancini rikthen “Chuckyn” në kinema me film të ri horror

“Nuk mbajmë mend një kohë kur nuk ishim fansa të Wes Cravenit. Është nder i madh që Iya dhe Jonathan na kanë besuar këtë mundësi për të sjellë një histori të re në këtë univers dhe për ta rikthyer Freddyn në shtëpi”, thuhet në deklaratën e tyre.

Më parë, të drejtat e filmit i zotëronte “New Line Cinema”, më pas “Warner Bros.”, studio që realizoi filmin origjinal të vitit 1984.

Në filmin e parë, Robert Englund interpretoi rolin e Freddy Kruegerit, një vrasës fëmijësh i djegur i gjallë nga prindërit e viktimave të tij. Me dorezën e famshme me thika metalike, xhemperin me vija të kuqe e të gjelbra, kapelën dhe fytyrën e djegur, Freddy terrorizonte adoleshentët duke u shfaqur në ëndrrat e tyre.

Filmi u shndërrua në një fenomen të horrorit, duke sjellë shtatë vazhdime, një ribërje në vitin 2010 dhe një sërë komikësh. Në vitin 2019, familja e Wes Cravenit rifitoi të drejtat mbi skenarin origjinal.

Për momentin nuk janë zbuluar detaje mbi kastin apo temën e filmit të ri, por sipas “The Hollywood Reporter”, projekti do të zhvillohet në universin e “A Nightmare on Elm Street”, bazuar në skenarin origjinal të Cravenit.

Robert Englund

Ndërkohë, Robert Englund, i cili luajti Freddy Kruegerin nga filmi i parë në vitin 1984 deri te “Freddy vs. Jason” në vitin 2003, ka deklaruar më herët se nuk mund ta rikthejë më personazhin në një film live-action.

“Nuk mund ta luaj më Freddyn. Jam shumë i moshuar. Nuk ka më Freddy brenda meje”, pati thënë ai në një intervistë të vitit 2024 për Bloody Disgusting.

Edhe Cillian Murphy rikthehet në botën e “Peaky Blinders” me filmin e ri Showbiz 3 muaj më parë Cillian Murphy rikthehet në botën e “Peaky Blinders” me filmin e ri

Megjithatë, ai la të hapur mundësinë për t’i dhënë zërin personazhit në një version të animuar me buxhet të madh.

“Mund të bëja zërin e një versioni të animuar cilësor. Do të ishte bukur nëse do të më ftonin, por nuk mund të realizoj më skenat fizike të luftës. Nuk mund të bëj më lëvizje të forta. Jam plakur, më jepni pak pushim”, pati thënë ai.