Një padie e re për përdhunim është ngritur ndaj reperit dhe producentit amerikan, Sean “Diddy” Combs. Një grua e identifikuar si “Jane Doe”, pretendon se Combs e ka sulmuar seksualisht në apartamentin e tij në Manhattan në muajin korrik të vitit 2001, ka raportuar TMZ.
Sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga TMZ, gruaja pretendon se pas një natë feste, Combs e çoi në dhomën e tij të gjumit, ku “e mbylli derën, e shtriu në shtrat duke e mbajtur nga qafa dhe i tha: ‘Do të ta thith shpirtin’”.
Ajo thotë se ai e mbajti të shtypur me forcë, ia hoqi pantallonat dhe ekspozoi organin gjenital. Në dokumente thuhet se e akuzuara “ulëriti që ai të ndalonte, por ai vazhdoi dhe ejakuloi mbi trupin e saj”.
Pas aktit të pretenduar të përdhunimit, Combs qëndroi lakuriq në shtrat, ndërsa gruaja, në panik, u pastrua dhe u përpoq të dilte nga dhoma. Një truprojë, që ndodhej jashtë, ia tregoi rrugën drejt daljes, thuhet në padi.
Gruaja pohon se e kishte takuar Combs në maj të vitit 2001 dhe kishte dalë disa herë me të në studio muzikore, klube nate dhe restorante. Pas ngjarjes, ajo thotë se Combs e kishte telefonuar disa herë dhe e kishte ftuar në festën e famshme “White Party”, por ajo nuk i është përgjigjur më.
Ajo gjithashtu pohon se ka ndjekur terapi psikologjike për pasojat që i ka shkaktuar ky sulm i pretenduar seksual.
Ekipi ligjor i Combs nuk ka reaguar menjëherë për koment, raportoi New York Post.
Kjo padi e re vjen ndërkohë që Combs po përballet me gjyq federal për trafikim seksual dhe akuzat për drejtimin e një rrjeti të krimit të organizuar. Ish-e dashura e tij, këngëtarja Cassie Ventura, e cila është aktualisht tetë muajshe shtatzënë, dëshmoi këtë javë për përdhunime të përsëritura, dhunë fizike dhe marrëdhënie të detyruara seksuale gjatë lidhjes së tyre mes viteve 2007–2018.
Ventura pretendon se Combs e detyronte të merrte pjesë në “freak-offs”, që përshkruhen si orgji seksuale me njerëz të tjerë të përzgjedhur nga ai. Ajo pritet të përballet me pyetjet e avokatëve të Combsit të enjten.
Nëse shpallet fajtor për akuzat për trafikim seksual dhe krime të tjera, Combs, i cili i ka mohuar të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm, mund të përfundojë në burg për pjesën tjetër të jetës së tij.