Showbiz

Olivia Munn nuk ndien se trupi i saj e tradhtoi

Olivia Munn

Aktorja Olivia Munn, 44-vjeçare, e diagnostikuar me kancer të gjirit në vitin 2023 dhe tashmë e shëruar, ka ndarë për herë të parë ndjesitë që pati për trupin e saj gjatë kësaj periudhe të vështirë.

“Shumë më kanë pyetur: ‘A u ndjeve sikur trupi të tradhtoi kur dole me kancer?’ Por asnjëherë nuk më shkoi ndërmend kjo gjë. Trupi im nuk më tradhtoi. Është arsyeja pse jam gjallë. Shpirti, energjia, dhe trupi im, të gjithë bashkë më mbajtën në jetë”, ka thënë Munn për Extra.

Ajo ka shtuar se ndonëse nuk u ndie e zhgënjyer nga trupi për shkak të sëmundjes, mëmësia i solli një sfidë të re për mënyrën si e shihte veten.

“Pas lindjes së djalit tim, stomaku nuk m’u kthye më kurrë si më parë. Në fillim isha e ashpër me veten, sepse shihja gra të tjera në Instagram që kishin lindur në të njëjtën kohë dhe tashmë shfaqeshin me bark jashtë, ndërsa unë s’mundesha”, ka thënë Munn.

Por sipas saj, gjithçka ndryshoi kur pa të birin.

“Mjafton ta shoh djalin tim dhe them: ‘Ai nuk do të ishte këtu po të mos ishte për trupin tim’. Çdo rrudhë, çdo lëkurë e varur në stomak, e dua trupin tim, sepse më solli djalin në jetë”, ka thënë aktorja.

Munn, e martuar me komedianin John Mulaney dhe nënë e dy fëmijëve, Malcolm (3 vjeç) dhe Mei (6-muajshe), ka thënë se tani e vlerëson më shumë se kurrë atë që ka përjetuar.

“Jam duke u përpjekur ta balancoj të qenit nënë e një vajze të vogël, rolin tim në serialin ‘Your Friends and Neighbors’, dhe gjithashtu ta përhap mesazhin për rëndësinë e testit të vlerësimit të rrezikut nga kanceri i gjirit. Është një përzierje emocionesh dhe mirënjohjeje”, ka thënë ndër të tjera artistja.