Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Netflix blen kompaninë e teknologjisë filmike të themeluar nga Ben Affleck

Ben Affleck

Ben Affleck

Foto: Associated Press

Platforma e transmetimit Netflix ka njoftuar se ka blerë kompaninë e teknologjisë për prodhimin e filmave InterPositive, të themeluar nga aktori dhe regjisori fitues i çmimit “Oscar”, Ben Affleck, ka raportuar Reuters.

Kompania zhvillon mjete të bazuara në inteligjencë artificiale që ndihmojnë në procesin e prodhimit të filmave. Kushtet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Affleck, regjisori dhe protagonisti i filmit fitues të “Oscarit”, “Argo”, e themeloi kompaninë “InterPositive” në vitin 2022. Ai krijoi një model të inteligjencës artificiale të trajnuar për të kuptuar logjikën vizuale dhe vazhdimësinë e montazhit, duke respektuar rregullat kinematografike edhe në situata reale të prodhimit, si mungesa e disa xhirimeve apo ndriçimi i pasaktë.

“Ne kemi vendosur edhe kufizime për të mbrojtur qëllimin krijues, në mënyrë që këto mjete të përdoren me përgjegjësi dhe vendimet kreative të mbeten në duart e artistëve”, ka thënë Affleck.

Pas marrëveshjes, Affleck do t’i bashkohet Netflix-it në rolin e këshilltarit të lartë.

Industria e mediave po tregon gjithnjë e më shumë interes për përdorimin e inteligjencës artificiale në krijimin e përmbajtjes dhe tregimin e historive.

Kjo shënon ndryshim të madh krahasuar me shqetësimet e mëparshme në Hollywood, ku shumë profesionistë kishin frikë se teknologjia mund të rrezikonte vendet e punës dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Në fund të vitit të kaluar, kompania “Disney” ka njoftuar se do t’i lejojë OpenAI-s֝ë të përdorë personazhe nga franshizat e saj të njohura, si Star Wars, Pixar dhe Marvel, në gjeneratorin e videove me inteligjencë artificiale Sora.

Shefja e përmbajtjes në Netflix, Bela Bajaria, ka thënë se qëllimi i teknologjive të reja është të ndihmojnë krijuesit, jo t’i zëvendësojnë ata.

“Ne besojmë se mjetet e reja duhet ta zgjerojnë lirinë krijuese, jo ta kufizojnë apo ta zëvendësojnë punën e skenaristëve, regjisorëve, aktorëve dhe ekipeve të prodhimit”, ka thënë ajo.

Kjo është blerja e parë e Netflix që nga momenti kur kompania hoqi dorë nga gara për të blerë studion dhe asetet e transmetimit të Warner Bros. Discovery, pasi oferta rivale e Skydance Media përmes marrëveshjes me Paramount Global u konsiderua më e favorshme.