“Nestle” ka shkarkuar drejtorin ekzekutiv vetëm pas një viti në detyrë, sepse ai mbajti të fshehtë një “marrëdhënie romantike” me një punonjëse të kompanisë, shkruan BBC.
Gjigandi zviceran i ushqimit njoftoi se Laurent Freixe ishte shkarkuar “me efekt të menjëhershëm” pas një hetimi të udhëhequr nga kryetari i ‘Nestle” dhe drejtori kryesor i pavarur.
BBC-ja mësoi se hetimi filloi pas një denoncimi të bërë përmes kanalit të kompanisë.
“Ky ishte një vendim i nevojshëm. Vlerat dhe udhëheqja e ‘Nestle’ janë themele të forta të kompanisë sonë. E falënderoj Laurent për vitet e tij të shërbimit në ‘Nestle’”, tha kryetari i “Nestles”, Paul Bulcke.
BBC ka mësuar se marrëdhënia e Freixe ishte me një punonjëse që nuk është në bordin ekzekutiv dhe hetimi filloi për shkak të konfliktit të interesit.
Përveç Bulcke, drejtori i pavarur, Pablo Isla, mbikëqyri hetimin për Freixe si këshilltari i jashtëm i pavarur.
Financial Times ka raportuar se u ngritën shqetësime në lidhje me marrëdhënien e Freixe me një punonjëse më herët këtë vit dhe, pas një hetimi të brendshëm, pretendimet u hodhën poshtë.
Pasi ankesat vazhduan, gazeta raporton se “Nestle” kreu një hetim tjetër me ndihmën e një këshilltari të jashtëm, pas të cilit pretendimet u mbështetën.
“Hetimi i jashtëm u hap menjëherë pas hetimit fillestar të brendshëm dhe vendimi i sotëm tregon se ne po i marrim seriozisht akuzat dhe hetimet”, tha zëdhënësi i “Nestles”.
Freixe ka punuar në “Nestle” për gati 40 vjet. Ai u ngrit në pozitën e drejtorit ekzekutiv global shtatorin e kaluar, duke zëvendësuar Mark Schneider.
Philipp Navratil, i cili ka qenë me Nestle që nga viti 2001, është emëruar si pasardhës i Freixe.
Bulcke do të japë dorëheqjen si kryetar vitin e ardhshëm dhe Isla, ish-shefi i “Inditex”, pronarit të “Zara”, është propozuar si zëvendësues i tij.