Sipas The New York Times, nga larg, viti 2025 dukej si kulmi absolut i muzikës K-pop në kulturën globale.
Filmi i animuar i Netflixit “KPop Demon Hunters” u shndërrua në fenomen botëror, duke u bërë filmi më i shikuar në historinë e platformës dhe duke dominuar top-listat muzikore me këngët e tij. Ishte një tregues i qartë se K-popi tashmë është gjuhë universale, muzikë, stil dhe identitet kulturor i përhapur globalisht.
Por pas kësaj fasade triumfi, u shfaqën çarje të thella.
Beteja ligjore mes grupit muzikor NewJeans, grupi më inovativ i viteve të fundit, dhe shtëpisë diskografike “Ador” (në pronësi të gjigantit Hybe), u bë simboli i tensionit mes K-popit si industri dhe K-popit si art.

Anëtaret e NewJeans tentuan të shkëpusin kontratën, duke pretenduar ambient armiqësor pune dhe sabotim kreativ, por në muajin tetor një gjykatë koreano-jugore e la kontratën në fuqi.
Grupi mbetet me kontratë deri në vitin 2029.
K-popi, me më shumë se 30 vjet histori, ka dominuar dekadën e fundit falë një sistemi shumë të strukturuar, të centralizuar dhe të kontrolluar nga konglomerate të mëdha të showbizit.
Ky model ka prodhuar yje globalë, por njëkohësisht ka kufizuar lirinë krijuese.
Rasti i NewJeans e nxori në pah këtë konflikt - origjinaliteti nuk prodhohet lehtë në seri.
Edhe “KPop Demon Hunters”, përtej suksesit, funksionon si algoritëm.

Kënga “Golden” nga ky film, ka kryesuar top-listën e Billboard Hot 100 për tetë javë dhe u nominua për çmimin “Grammy”, duke dëshmuar fuqinë globale të këtij zhanri.
Ky dominim është trashëgimi e drejtpërdrejtë e BTS, grupit që e çoi K-popin në majat botërore në vitet 2010.
Rikthimi i tyre në vitin e ardhshëm pritet të sjellë energji dhe të ardhura, por nuk zgjidh krizën strukturore.
Një shenjë e qartë e kësaj është Katseye, grupi i ri i krijuar nga “Hybe” dhe “Geffen”, me anëtare nga vende të ndryshme dhe fokus në gjuhën angleze. Muzika e tyre sfidon format tradicionale të K-popit, me kaos kreativ, lirshmëri dhe një qasje më perëndimore. E njëjta prirje shihet edhe te yjet e mëdhenj të zhanrit, si Rosé, Jennie, J-Hope dhe Jisoo, përmes bashkëpunimeve me artistë globalë nga zhanre të tjera.
Ndërkohë, brenda K-popit kryesor, shumë grupe vazhdojnë të kenë sukses komercial, por muzika e tyre po perceptohet si e përsëritur dhe pa risi.
Inovacioni më i guximshëm po ndodh jashtë sistemit të konglomerateve, ku artistë të rinj koreano-jugorë po krijojnë një pop modern, provokues dhe eksperimental, të ndikuar nga hyperpopi por edhe në dialog kritik me K-popin tradicional.
Ky është zëri i një brezi të rritur brenda një sistemi mbytës, që kërkon të dalë jashtë tij, ose të paktën ta sfidojë.
Ironikisht, ndërsa industria përpiqet të mbijetojë përmes shkallës dhe kontrollit, ajo mund të ketë lindur pa dashje tingullin që do ta përmbysë.