Showbiz

Natalie Portman kritikon “Oscar” për mospërfshirje të grave regjisore në nominime

Natalie Portman

Natalie Portman

Foto: Associated Press

Natalie Portman ka kritikuar ashpër Akademinë e Filmit, e cila ndan çmimet “Oscar”, për mungesën e përfshirjes së grave në kategorinë e regjisorit/regjisores më të mirë, duke theksuar se vetëm Chloé Zhao është nominuar këtë vit në këtë kategori.

Aktorja e filmit “The Gallerist” ka thënë se gratë nuk po marrin vlerësimin që meritojnë, duke theksuar se filmi “Hamnet” i Chloé Zhao është i vetmi nga 10 filmat e nominuar për “Filmin më të mirë” që nuk është drejtuar nga një burrë.

“Shumë nga filmat më të mirë që kam parë këtë vit janë realizuar nga gra. Ajo që sheh janë barriera në çdo nivel, sepse shumë prej tyre nuk u njohën në kohën e çmimeve”, ka thënë Portman për Variety.

Aktorja ka përmendur disa filma që, sipas saj, janë lënë padrejtësisht jashtë vëmendjes së çmimeve.

“‘Sorry Baby’, ‘Left-Handed Girl’, ‘Hedda’ dhe ‘The Testament of Ann Lee’… janë filma të jashtëzakonshëm këtë vit, që shumë njerëz po i shijojnë dhe i duan, por që nuk po marrin vlerësimin që meritojnë”, ka deklaruar ajo.

44-vjeçarja beson se ende ka shumë punë për t’u bërë që filmat e drejtuar nga gratë të kenë të njëjtin trajtim dhe vëmendje.

“ Nga sigurimi i financimit të filmit e deri te hyrja në festivale, çdo hap është i vështirë. Dhe pastaj, kur filmi del, nuk merr vëmendjen që meriton. Ende kemi shumë punë për të bërë. Por, për fat të mirë, me shumë gëzim, duke punuar bashkë dhe duke qenë komunitet mes grave në sheshxhirim, është një proces shumë i veçantë”, ka thënë Portman.

Filmi i saj më i fundit, “The Gallerist”, është drejtuar nga Cathy Yan, të cilën Portman e ka cilësuar si një udhëheqëse të shkëlqyer.

“Ajo ka një qartësi të jashtëzakonshme vizioni. Puna e detajuar që bën paraprakisht dhe udhëheqja e saj precize krijojnë hapësirë për spontanitet. Ajo arrin të balancojë një ton satirik me emocione reale, diçka që është pothuajse e pamundur, por ajo dinte saktësisht si ta bënte dhe si të na udhëhiqte”, ka thënë Portman.

Aktorja ka pasur fjalë të mëdha edhe për kolegen e saj, Jenna Ortega, të cilën e konsideron një talent të rrallë.

“Ajo është një aktore jashtëzakonisht e shkëlqyer dhe shumë e ditur për filmin. Ajo është plotësisht e përfshirë dhe e fokusuar. Është diçka e rrallë. Nuk është aty për t’u marrë me gjëra të kota” ka thënë Portman.