Disa këngë të papublikuara të këngëtares se njohur, Beyonce, janë vjedhur nga një veturë në Atlanta, vetëm pak ditë para se këngëtarja të mbante katër koncerte në këtë qytet si pjesë e turneut të saj “Cowboy Carter”, kanë konfirmuar autoritetet lokale, raporton BBC.
Sipas raportit të policisë, hajdutët kanë marrë disqe (hard drive) me materiale shumë të ndjeshme: këngë të reja të papublikuara, plane për shfaqje dhe lista të performancave të mëparshme dhe atyre që pritet të mbahen.
Ngjarja ndodhi më 8 korrik, dy ditë para koncertit të parë të Beyonces në Atlanta.
Policia e qytetit ka lëshuar një urdhër-arresti, por emri i të dyshuarit nuk është bërë publik.
Sipas raportit të incidentit, koreografi Christopher Grant dhe balerini Diandre Blue i thanë policisë se kishin parkuar një veturë të marrë me qira, një Jeep Wagoneer i zi, dhe kishin hyrë në një vend për të ngrënë aty afër.
“Kur u kthyen, xhami i pasëm i veturës ishte thyer dhe dy valixhe mungonin”, kanë deklaruar ata.
Sipas tyre, në valixhe ndodheshin materiale shumë të rëndësishme për Beyoncen.
“Ishim duke bartur informacione personale dhe të ndjeshme për muzikanten Beyonce”, thuhet tutje në deklaratën e tyre për policinë.
Raporti i policisë thekson se ishin vjedhur “pesë USB me muzikë të papublikuar, me watermark, plane për shfaqje të kaluara dhe të ardhshme, si dhe lista të performancave”.
Përveç materialeve të lidhura me turneun, janë raportuar si të vjedhura edhe një laptop, rroba disenjatorsh dhe AirPods të markës “Apple”. Falë funksionit të gjurmimit në pajisjet elektronike, autoritetet kanë arritur të ndjekin lëvizjet e mundshme të sendeve të vjedhura.
Policia ka analizuar veturën për gjurmë gishtash dhe ka zbuluar “dy gjurmë shumë të lehta”, thuhet në raport. Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndonjë nga sendet është rikthyer.
BBC ka kontaktuar përfaqësues të Beyonces për koment, por nuk ka pranuar përgjigje.
Beyonce është aktualisht në Atlanta si pjesë e turneut “Cowboy Carter”. Koncerti i parë në qytet u mbajt më 10 korrik, ndërsa i fundit ishte planifikuar për të hënën mbrëma.
Në natën e tretë të koncertit, burri i saj, reperi Jay Z, bëri një paraqitje të papritur në skenë.
Koreografi Christopher Grant ka punuar edhe me yje të tjerë si Shakira, ndërsa Diandre Blue është paraqitur me Beyoncen në reklamën e Super Bowlit në vitin 2024, gjatë së cilës ajo publikoi dy këngë nga albumi Cowboy Carter, që doli më vonë atë vit.