Showbiz

Miley Cyrus po planifikon diçka të veçantë për 20-vjetorin e “Hannah Montana”

Miley Cyrus

Miley Cyrus

Foto: Associated Press

Miley Cyrus ka zbuluar se po përgatit “diçka vërtet të veçantë” për të shënuar 20-vjetorin e serialit të famshëm “Hannah Montana”, që u transmetua nga viti 2006 deri në 2011 dhe i dha asaj famë ndërkombëtare.

“Dua të krijoj diçka vërtet, vërtet të veçantë për këtë përvjetor. Sepse ai serial ishte fillimi i gjithçkaje që është tani. Pa Hannahn, nuk do të ekzistonte kjo unë që jeni duke parë sot”, ka thënë 32 vjeçja gjatë një interviste për SiriusXM's TikTok Radio, ka raportuar FemaleFirst.

Në serialin që u bë fenomen për një gjeneratë të tërë, Cyrus luante rolin e adoleshentes Miley Stewart, që jetonte një jetë të dyfishtë si adoleshente e zakonshme dhe si këngëtarja e famshme pop, Hannah Montana. Sot, ajo ndien gëzim që mund ta festojë këtë pjesë të karrierës së saj.

“Është shumë çmenduri kur mendon se kam nisur si një personazh që dikur më dukej e pamundur ta largoja nga vetja. E tani, kur hyj në ndonjë hapësirë, Hannah shihet si diçka nostalgjike, diçka që të kujton fëmijërinë. Dhe unë jam bërë njësoj e integruar në jetët e njerëzve si vetë personazhi. Kjo është emocionuese”, u shpreh ajo.

Edhe pse më parë është përpjekur të largohet nga imazhi i pastër e i përsosur i Hannahs, Cyrus ka treguar se ndien ende shumë dashuri për të.

“Gjithçka ka ndryshuar pak, por në të njëjtën kohë, asgjë s’ka ndryshuar. Jam ende këtu, krenare që kam qenë Hannah Montana. Ky çmim i kushtohet Hannahs dhe të gjithë adhuruesve të saj të mrekullueshëm dhe besnikë, si dhe të gjithëve që e bënë ëndrrën time realitet. Siç do të thoshte vetë legjenda: ‘This is the life’”, ka thënë ajo gjatë fjalimit të mbajtur vitin e kaluar, kur u nderua si “Legjendë e Disneyt”.

Cyrus nuk e përjashton as rikthimin në rolin e saj të famshëm. Në vitin 2020, gjatë një interviste në emisionin “Carolina With Greg T In The Morning”, ajo tregoi me humor se gjithnjë përpiqet ta vendosë parukën e Hannahs.

“E vërteta është se përpiqem ta vendos atë paruke gjatë gjithë kohës. Ajo thjesht po qëndron në magazinë, duke mbledhur pluhur, por unë jam gati ta nxjerr... Do të vijë një moment që do të ndodhë. Pa dyshim, do të doja ta riktheja në një moment. Por do t’i duhet një ‘makeover’ i madh, sepse ka ngecur në vitin 2008. Duhet patjetër të shkojmë për shopping me zonjushën Montana!”, ka thënë ajo.