Showbiz

Mesazhet mes Blake Lively dhe Taylor Swift mund të përdoren në gjykatë

Taylor Swift dhe Blake Lively

Taylor Swift dhe Blake Lively

Foto: Associated Press

Mesazhet private mes aktores së njohur, Blake Lively dhe shoqes së saj, këngëtares, Taylor Swift mund t’i dorëzohen aktorit e regjisorit, Justin Baldoni dhe të përdoren si pjesë e procesit gjyqësor të profilit të lartë mes Baldonit dhe Livelyt, ka vendosur gjykata, raporton BBC.

Sipas Variety, gjykatësi i distriktit në SHBA, Lewis Liman, ka vendosur se komunikimet mes Lively dhe Swift, që flasin për ambientin në setin e filmit “It Ends With Us”, janë të rëndësishme për këtë çështje.

Ekipi i avokatëve të Livelyt kishte kërkuar që Baldoni të mos kishte qasje në këto mesazhe, duke pretenduar se ato nuk ishin të lidhura me rastin.

Lively e ka paditur Baldonin dhe studion filmike të tij në muajin dhjetor të vitit 2024, duke e akuzuar për ngacmim seksual në set dhe për fushatë për të shkatërruar reputacionin e saj. Baldoni e paditi Livelyn për shpifje, por javën e kaluar kjo padi u hodh poshtë nga gjykata.

Në muajin maj, avokatët e Baldonit tentuan t’i merrnin këto mesazhe direkt nga Taylor Swift duke dërguar thirrje zyrtare në emrin e saj dhe ekipit ligjor. Por thirrjet u tërhoqën pasi ekipi i Swiftit ka reaguar duke thënë se kërkesa ishte një “e pa bazë”.

Pas kësaj, Lively u përpoq të bllokonte qasjen në mesazhe edhe nëpërmjet procedurave të rregullta të gjykimit.

Por gjykatësi Liman vendosur ndryshe, duke thënë se këto mesazhe mund të pasqyrojnë më mirë se çfarë ka ndodhur në set apo shesh-xhirim.

“Duke qenë se Lively ka deklaruar se Swift ishte në dijeni për ankesat apo diskutimet rreth ambientit të punës në film, kërkesa për të dorëzuar mesazhet me Swiftin lidhur me filmin dhe këtë çështje është e arsyeshme dhe mund të sjellë informacione që provojnë ose rrëzojnë akuzat për ngacmim dhe hakmarrje”, ka thënë gjykatësi.

Përplasja mes palëve

Një zëdhënës i Livelyt i tha Billboardit se Lively ka dorëzuar shumë më shumë dokumente në këtë proces sesa Baldoni.
Sipas tij, Baldoni dhe ekipi i tij i për marrëdhëniet me publikun po përpiqen ta përfshijnë me çdo kusht Swiftin në këtë çështje që prej verës së kaluar.

“Do të vazhdojmë të denoncojmë përpjekjet e pandalshme të Baldonit për të shfrytëzuar popullaritetin e Taylor Swift, që prej ditës së parë nuk ka qenë asgjë tjetër veçse një shpërqendrim nga akuzat serioze për ngacmim seksual dhe hakmarrje me të cilat përballet ai dhe kompania e tij Wayfarer”, ka thënë zëdhënësi.

Por gjykatësi Liman u përgjigj se pretendimi i Livelyt se Baldoni po përpiqet të përfitojë nga fama e Swiftit për qëllime publiciteti “nuk justifikon që palët e përfshira të mos dorëzojnë dokumentet e kërkuara”.

Procesi gjyqësor pritet të fillojë në muajin mars të vitit 2026.