Reperja amerikane Megan Thee Stallion ka fituar betejën ligjore kundër blogeres Milagro Gramz (emri i vërtetë: Milagro Cooper), e cila e kishte akuzuar atë se ishte “një surrogate e paguar” për, ish-të dashurin, reperin, Tory Lanez.
Sipas NBC News, një panel federal i përbërë nga pesë burra dhe katër gra në Florida vendosi se Cooper e kishte shpifur dhe ngacmuar në mënyrë të vazhdueshme artisten 30-vjeçare. Megan është shpërblyer me 59 mijë dollarë dëmshpërblim.
Reperja u paraqit në gjykatë në muajin nëntor, ku dëshmoi se komentet e Cooperit e kishin prekur rëndë në aspektin emocional dhe profesional. Ajo ka treguar se në një moment të jetës së saj ishte ndier aq e sulmuar, saqë kishte menduar se “jeta nuk ia vlente të jetohej”.
Padia, e ngritur në muajin tetor të vitit 2024, e akuzonte Cooperin për “përhapje të qëllimshme të gënjeshtrave” rreth ngjarjes së vitit 2020, kur Thee Stallion u qëllua nga Tory Lanez.
“Është koha t’i mbajmë përgjegjës blogerët për vite të tëra të ngacmimeve, bullizmit online dhe publikimit të keqinformimeve për jetën time personale dhe profesionale”, ka thënë Thee Stallion në një deklaratë.
Ajo ka shtuar se kishte përjetuar “sulmе të panumërta ndaj karakterit tim të bazuara në narrativa të rreme nga blogerë të rrjeteve sociale që sillen sikur janë gazetarë”.
“Kjo sjellje është e papranueshme dhe këta individë duhet të kuptojnë se do të ketë pasoja për postimin e gënjeshtrave dhe shpifjeve”, ka thënë këngëtarja.
Në padi, Cooper akuzohej se kishte vënë në dyshim “stabilitetin mendor” të Thee Stallion dhe e kishte quajtur atë “afroamerikane e zemëruar”. Ajo gjithashtu akuzohej për shpërndarje të një “videoje pornografike deepfake (ta manipuluar në mënyrë digjitale)” të Thee Stallion në platformën X.
Ani pse Tory Lanez u dënua me dhjetë vjet burg në gusht 2023 për të shtënat ndaj këngëtares, Cooper vazhdoi të hidhte dyshime publikisht mbi fajësinë e tij.
Thee Stallion kërkonte dëmshpërblim financiar, shpenzimet e avokatëve dhe një urdhër të përhershëm që do t’i ndalonte Cooperit publikimin e çfarëdo materiali intim ose manipulues ndaj saj.
Në reagimin e saj në X pas padisë, Cooper ka shkruar se planifikon të bëj kundërpadi.