Aktorja e njohur hollywoodiane, Megan Fox ka rrëfyer se periudha kur u bë e famshme pas filmit “Transformers” (në vitin 2007) ishte një nga më të vështirat në jetën e saj.
Fox, e cila më parë ishte shfaqur në filmin “Confessions of a Teenage Drama Queen” (2004) dhe në serialin “Hope & Faith”, ka thënë se pas suksesit të madh të “Transformers” ajo ndjeu “tronditje të madhe” dhe se fama e papritur e la “të traumatizuar”.
Duke folur në një shfaqje të veçantë të filmit të saj “Jennifer’s Body” (2009) në Los Angeles, ajo u pyet se çfarë këshille do t’i jepte vetes së saj të re.
“Nuk e di nëse do t’i jepja vetes ndonjë këshillë. Në atë periudhë të jetës time isha shumë e humbur, e mbushur me zemërim ndaj mënyrës si isha trajtuar në industrinë e filmit dhe me gjithë atë presion që vinte nga fama… qysh para se të fillonim xhirimet e ‘Jennifer’s Body’”, ka thënë Fox, ka raportuar FemaleFirst.
Aktorja ka treguar se pas suksesit të madh të filmit “Transformers”, ajo nuk po arrinte të përballonte vëmendjen e paparacëve dhe ndiente nevojë për një mënyrë për të shfryrë gjithë emocionet që po e mbysnin. Pikërisht roli në “Jennifer’s Body”, filmi horror ku ajo luan një vajzë të re që pushtohet nga një demon dhe vret shokët e klasës, i dha asaj atë mundësi.
“Kisha gjithë atë dhimbje, trishtim, zemërim dhe mllef që duhej të shkonin diku. Mundësia për t’u lejuar të isha e çrregullt, edhe në pushimet mes xhirimeve, ishte diçka shumë çliruese për mua”, ka thënë ajo.
Fox ka shpjeguar se e ndjeu personazhin e saj shumë afër vetes, sepse edhe ajo vetë në atë kohë ndihej sikur po sakrifikohej për përfitimet e të tjerëve.
“E lexova skenarin dhe menjëherë më preku. Ka diçka tek ai personazh, përpara se të shndërrohet në një përbindësh, ajo është thjesht një vajzë e re që flijohet për përfitimin e dikujt tjetër. Dhe unë e ndjeva fort këtë, sepse në atë kohë në karrierën time ndihesha sikur po më ndodhte e njëjta gjë”, ka thënë ajo.
Aktorja ka shtuar se ka hyrë në industrinë e showbizit kur ishte vetëm 19 vjeçe dhe ajo periudhë i reflektoi shumë ndjenja që kishte përbrenda, dhimbje, konfuzion dhe zemërim ndaj mënyrës si funksiononte fama.