Showbiz

Martin Scorsese për vdekjen e Rob Reinerit: Mungesë e boshllëk në jetën e përditshme

Martin Scorsese dhe Rob Reiner

Martin Scorsese dhe Rob Reiner

Foto: Associated Press

“Rob Reiner ishte miku im, ashtu si edhe Michele. Tani e tutje do të më duhet të flas në kohën e shkuar, dhe kjo më mbush me një trishtim të thellë. Por nuk ka zgjidhje tjetër”. Kështu nis homazhi i regjisorit të mirënjohur, Martin Scorsese, për shokun e tij të ngushtë, regjisorin dhe aktorin Rob Reiner.

Për New York Times, Scorsese ka treguar se ata u njohën në Los Angeles në fillim të viteve ’70, përmes një rrethi artistësh të komedisë dhe kinemasë. Rol të rëndësishëm në këtë njohje pati miku i tij nga New Yorku, Bill Minkin, komedian, aktor dhe moderator legjendar, i cili kishte luajtur edhe në filmin e parë artistik të Scorseses, “Who’s That Knocking at My Door”.

Përmes tij, Scorsese u njoh edhe me George Memmoli, aktor dhe komedian që do të shfaqej më vonë në “Mean Streets” dhe “New York, New York”.

Takimet zhvilloheshin shpesh në shtëpinë e Memmolit dhe zgjatnin gjithë natën, në atë që Scorsese i përshkruan si “sallone të stand-up komedisë”. Aty vinin figura si David Steinberg dhe Dick Gregory, dhe pikërisht aty ai u njoh me Rob Reiner dhe bashkëshorten e tij të atëhershme, Penny Marshall.

Scorsese e përshkruan Reinerin si një “i ardhur nga Bregu Lindor”, i lindur në Bronx dhe i rritur pjesërisht në New York, me rrënjë të thella në botën e spektaklit. Nëna e tij, Estelle, ishte këngëtare dhe aktore, ndërsa i ati, Carl Reiner, ishte pjesë e emisionit legjendar “Your Show of Shows”, krah emrave si Neil Simon dhe Mel Brooks.

“Ky ishte humor 100 për qind njujorkez, dhe ishte ajri që unë përthithja”, ka shkruar Scorsese.

Ai ka shpjeguar se në atë kohë ekzistonin disa grupe improvizimi dhe satire. Reiner ishte më i lidhur me Credibility Gap, një grup satirik me prirje politike dhe kundërkulturore, ndërsa në të njëjtin rreth bënin pjesë edhe Michael McKean, Harry Shearer dhe Albert Brooks.

“Që në fillim, më pëlqente të rrija me Robin. Ishte jashtëzakonisht shakaxhi, ndonjëherë edhe thumbues, por kurrë nuk përpiqej të dominonte dhomën”, ka shkruar Scorsese.

Ai ka kujtuar të qeshurën e tij karakteristike dhe dashurinë për jetën e çastit. Në një ceremoni nderimi në Lincoln Center, ai tha se Reiner qeshi aq fort gjatë një parodie të Michael McKeanit, sa e qeshura e tij u dëgjua në gjithë sallën.

Një nga kujtimet më të dashura të Scorseses lidhet me një bisedë të hershme mes tyre, kur kënga “The Cisco Kid” po luhej gjithandej.

“Më tha me qetësi: ‘E di, Cisco Kid ishte shoku im’. Unë iu përgjigja: ‘Vërtet? Nuk e dija që ishte person real’. Dhe ai vazhdoi seriozisht: ‘Po, ishte shoku im’.” Vetëm pas një kohe Reiner ia pranoi se po bënte shaka.

Gjatë viteve, ata vazhduan të qëndronin në kontakt dhe të ndiqnin filmat e njëri-tjetrit. Filmi i preferuar i Scorseses nga krijimtaria e Reinerit është “Misery”, të cilin e përshkruan si “film shumë të veçantë”, me interpretim të shkëlqyer nga aktorët Kathy Bates dhe James Caan.

Por mbi të gjitha, ai ka veçuar “This Is Spinal Tap”, që sipas tij “është në një kategori më vete”, krijim pothuajse i përsosur, ku roli i Reinerit si regjisor dhe aktor është thelbësor.

Kur Scorsese po përgatiste filmin “The Wolf of Wall Street”, ai mendoi menjëherë për Reinerin për rolin e babait të personazhit të luante aktori Leonardo DiCaprio.

 “Ai improvizonte me më të mirët, ishte mjeshtër i komedisë dhe e kuptonte thellësisht dramën njerëzore të personazhit”, ka shkruar ai.

Scorsese e përshkruan një skenë të rëndësishme, ku personazhi i Reinerit e kupton se i biri nuk do të ndalet, pavarësisht paralajmërimeve.

“‘Ke gjithë paratë e botës’, i thotë ai. ‘Të duhen edhe paratë e të tjerëve?’ Një baba që e do djalin e tij, por nuk e kupton dot”, ka shkruar regjisori.

Scorsese ka rrëfyer se është prekur thellë nga delikatesa e interpretimit të Reinerit, si gjatë xhirimeve, ashtu edhe në montazh dhe në versionin final të filmit.

“Tani më thyhet zemra vetëm kur mendoj për butësinë e atij interpretimi”, ka shkruar ai.

Në fund, Scorsese e përshkruan humbjen e Rob dhe Michele si “mungesë e boshllëk në jetën e përditshme”.

Ai ka thënë se vetëm kalimi i kohës mund ta ndihmojë ta pranojë këtë dhimbje. Deri atëherë, ai ka zgjedhur t’i imagjinojë të gjallë.

“Një ditë do të jem në një darkë apo festë dhe do ta gjej veten ulur pranë Robit, do ta dëgjoj të qeshurën e tij, do t’i shoh fytyrën e ndritshme dhe do të ndihem sërish me fat që e kam pasur shok”, ka shkruar Scorsese.