Ikona e muzikës pop, Mariah Carey, është konfirmuar si ylli i parë i madh që do të performojë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026. Ceremonia do të mbahet më 6 shkurt, në stadiumin San Siro në Milano.
“Ciao. Bëhuni gati për Milano Cortina 2026. Shihemi në stadiumin San Siro më 6 shkurt për ceremoninë hapëse olimpike. Shihemi në Milano!”, ka thënë Carey në një video-mesazh përmes të cilit e ka bërë të ditur lajmin, ka raportuar FemaleFirst.
Komiteti organizator lokal konfirmoi zyrtarisht pjesëmarrjen e saj në ceremoninë hapëse, duke theksuar rëndësinë simbolike të këtij momenti.
“Mariah Carey përfaqëson plotësisht atmosferën emocionale që shoqëron afrimin e Lojërave. Muzika është një gjuhë universale që bashkon histori dhe ndjeshmëri të ndryshme, dhe lidhet ngushtë me temën e harmonisë së ceremonisë hapëse”, thuhet në deklaratën e komitetit.
Carey ka karrierë jashtëzakonisht të suksesshme dhe konsiderohet si një nga artistet me disqet më të shitura të të gjitha kohërave. Megjithatë, ajo ka pranuar se shpesh nuk e di se si e percepton publiku.
“Nëse njerëzit kanë sens humori, ndoshta thonë: ‘E kuptojmë pak, ajo është pak teatrale, pak kështu, pak ashtu, nuk është gjithmonë serioze’. Por unë nuk e di se çfarë mendojnë njerëzit për mua. Vërtet nuk e di”, pati thënë ajo në një intervistë për Variety.
Ajo ka treguar gjithashtu se imazhi publik shpesh ndryshon nga ajo që është në jetën e përditshme.
“Unë e ekzagjeroj pak me diamantët, flokët, grimin, këpucët dhe gjithë pamjen, por sinqerisht, a jam unë kjo? Nuk e di. Një pjesë po, sigurisht. Nuk do të më vinte keq nëse dikush do të më dhuronte një byzylyk me diamante. Por kjo nuk do të thotë se vetëm për këtë më intereson”, ka thënë këngëtarja 56-vjeçare.