Aktori 45-vjeçar, i njohur për rolin e djaloshit të zgjuar Kevin që i mashtronte hajdutët në filmin e famshëm të vitit 1990 “Home Alone” dhe vazhdimin e tij të vitit 1992, “Home Alone 2: Lost in New York”, është rikthyer sërish në këtë rol në një reklamë të re me titull “Home But Not Alone” për kompaninë “Home Instead”, e cila ofron kujdes në shtëpi për të moshuarit.
Këtë herë, qëllimi i Kevinit nuk është të mbrojë shtëpinë nga hajdutët, por të kujdeset që nëna e tij, Kate McCallister, e luajtur përsëri nga aktorja 71-vjeçare Catherine O’Hara, të jetë e sigurt në shtëpi.
Në klipet e reja të publikuara si pjesë e fushatës, Culkin përsërit rolin e tij legjendar. Reklama kryesore hapet me një hartë të vizatuar me dorë të quajtur “Plani i Sigurisë së Mamit”, ku shënohen zonat e rrezikshme në shtëpi dhe shënime si “fikso qilimin që të mos pengohet”, “ngre kapakun e tualetit” dhe “instalo shkallën elektrike”.
Në video, Culkin në rolin e Kevinit shihet duke mbështjellë dekorimet e jashtme me plastikë mbrojtëse.
“Jam thjesht i shqetësuar që mami po rri vetëm, e kupton? Po sikur të rrëzohet ose të bllokohet nga bora? Ata kurrë nuk e kapën atë ‘South Bay Shovel Slayer’”, thotë ai në reklamë.

Në atë moment dëgjohet zhurma e një lopate, që e çon Kevinin drejt një takimi me mbesën e Marleyt, një referencë nostalgjike për fqinjin që shfaqet në filmin origjinal.
Ajo e pyet se çfarë po bën dhe e pyet: “Ke provuar të flasësh me të për të marrë pak ndihmë? Pjesa më e frikshme është ta nisësh atë bisedë. Pastaj të paktën e di dhe s’ke pse shqetësohesh më. Nuk është e lehtë, por ndjenjat për familjen janë gjithmonë të ndërlikuara”.
VIDEO:
Regjisori i reklamës, Jody Hill, ka thënë për revistën “People” se ka dashur ta interpretojë historinë në mënyrë origjinale, pasi të gjithë njerëzit mund të përjetojnë këso momentesh.
“Deshëm ta tregojmë këtë histori në mënyrë autentike, duke e ditur faktin që të gjithë e përjetojmë këtë moment me një të dashur në një pikë të jetës. Kjo nuk është thjesht nostalgji festive, por një mënyrë për t’u lidhur me Kevin McCallister disa vite më vonë, teksa përballet me të njëjtat shqetësime që i kemi të gjithë kur prindërit tanë plaken. Është e vërtetë, është qesharake dhe thellësisht njerëzore”, ka thënë Hill.
Reklamat “Home But Not Alone” do të transmetohen gjatë shfaqjeve të “Home Alone” dhe programeve festive, si edhe gjatë ndeshjeve të futbollit amerikan universitar deri më 11 janar.
Culkin ka xhiruar disa klipe shtesë për projektin, përfshirë një skenë ikonike ku qeset e ushqimeve i bien nga duart në rrugë, një moment që fansat e filmave të viteve ‘90 e njohin mirë.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se tri dekada nga filmi i parë, aktori thotë se lidhja e tij me Kevinin mbetet e fortë, dhe tani është diçka që e ndan edhe me familjen e tij.
Në muajin dhjetor të vitit 2024, ai pati treguar për E! News se djali i tij katërvjeçar, Dakota, kishte filluar të ngatërronte kujtimet e veta me skena nga filmi.
“Ai mendon se është Kevini. I them, ‘A e mban mend kur zbrite shkallët me slitë?’ dhe ai më thotë ‘Mmhmm, po. Sigurisht’. I them ‘A e mban mend kur kishe flokë të verdha?’ dhe ai thotë ‘Po’”, pati treguar aktori duke e quajtur mashtrues të birin.
Culkin, më parë, pati bërë edhe një reklamë për Google Assistant, përmes një parodie të inspiruar nga filmi ikonik.