Aktori i mirënjohur, Leonardo DiCaprio, ka shprehur shqetësimin për të ardhmen e kinemasë, duke thënë se Hollywoodi po kalon në “tranzicion të madh” për shkak të rritjes së shpejtë të platformave transmetuese.
51-vjeçari ka thënë se beson që ky ndryshim po ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si publiku e përjeton filmin dhe ka frikë se, në afat të gjatë, kinematë mund ta humbin rëndësinë e tyre.
“Gjithçka po ndryshon me shpejtësi marramendëse. Po shohim një tranzicion të madh. Fillimisht, dokumentarët u zhdukën nga kinematë. Tani, edhe dramat qëndrojnë shumë pak kohë dhe njerëzit presin t’i shohin në platforma transmetuese. Nuk e di. Pyetja është: a e kanë njerëzit ende dëshirën? Apo kinematë do të bëhen hapësira të izoluara, si klubet e xhazit?”, ka thënë DiCaprio për “The Sunday Times”.
Edhe regjisori i filmit të tij të ri “One Battle After Another”, Paul Thomas Anderson, është dakord me këtë shqetësim.
“Është një luftë trup më trup”, ka thënë ai, duke përshkruar betejën për të mbajtur filmat në ekranet e kinemasë.
DiCaprio ka theksuar se kalimi i publikut nga kinematë në shtëpitë e tyre mund të ketë pasoja negative për regjisorët vizionarë.
“Shpresoj që mjaft njerëz, që janë vërtet vizionarë, të kenë ende mundësi të bëjnë gjëra unike në të ardhmen dhe që ato të shihen në kinema. Por kjo mbetet për t’u parë”, ka thënë ai.
DiCaprio dhe Thomas Anderson kishin qenë pranë një bashkëpunimi që në vitin 1997, për filmin “Boogie Nights”, por aktori ishte i angazhuar me filmin “Titanic”.
Regjisori 55-vjeçar ka pranuar se për vite me radhë kishte ndier “xhelozi” kur DiCaprio punonte me regjisorë të tjerë, para se më në fund të bashkoheshin për “One Battle After Another”.
“Ai ka njëfarë përkushtimi ndaj idesë që të mos bëjë thjesht çdo film”, ka thënë Thomas Anderson.
I pyetur se çfarë e bën DiCaprion të veçantë, ai u shpreh se “është si t’i shpjegosh dikujt pse je dashuruar me një person”.
“Ndonjëherë më kapte një ndjenjë xhelozie. Mendoja: ‘Quentin Tarantino ka punuar me të dy herë’. Por ideja duhej të vinte nga unë, duhej të shkruaja diçka vetë”, ka shtuar ai.
Nga ana e tij, DiCaprio ka thënë se e kishte shijuar shumë bashkëpunimin me Thomas Andersonin, sidomos për mënyrën se si regjisori i përfshin aktorët në procesin krijues, duke u treguar çdo ditë pamjet e xhiruara.
“Nuk ndodh shpesh që të jesh pjesë e gjithë procesit. Më kujtohet në fillimet e karrierës sime, kur më sillnin kaseta VHS në rimorkio, por sinqerisht, kjo është diçka që pothuajse nuk ndodh më sot”, ka thënë aktori.