Showbiz

Leonardo DiCaorio thotë se s’është për regjisor, “s'i afrohem nivelit të Martin Scorseses”

Leonardo DiCaprio

Leonardo DiCaprio

Foto: Associated Press

Aktori i Hollywoodit, Leonardo DiCaprio, ka bërë të ditur se nuk ka plane të bëhet regjisor, sepse mendon se nuk mund t’i afrohet kurrë nivelit të regjisorit të mirënjohur, Martin Scorsese.

51-vjeçari ka pranuar se kalimi prapa kamerës nuk ka qenë asnjëherë pjesë e planeve të tij.

Ai ka theksuar se ideja për të drejtuar një film nuk e ka tunduar kurrë seriozisht, pikërisht sepse e konsideron Scorsesen si standard të paarritshëm.

“Disa njerëz më kanë pyetur nëse kam dashur të bëhem regjisor. Unë u kam thënë: ‘Kurrë nuk do të doja të drejtoja. Nuk mund të bëja asgjë që i afrohet asaj që bën Martin Scorsese. Pse do ta bëja këtë?’”, ka thënë Dicaprio gjatë një bisede me Scorsesen në aktivitetin “A Year in TIME”, të organizuar në New York nga prestigjiozja TIMES Magazine.
 

Ylli i filmit “One Battle After Another” ka shprehur keqardhje që nuk ka marrë më shumë kohë për të vëzhguar nga afër procesin e realizimit të filmave dhe mënyrën se si punon Scorsese prapa kamerës.

“Kur luan role, përpiqesh të hysh sa më thellë në shpirtin e personazhit. Do të kisha dashur të isha më shumë një vëzhgues, të shihja se çfarë bën ti pas kamerës. Nëse kthehem pas, do të doja të kisha vëzhguar shumë më tepër atë proces”, ka thënë DiCaprio.

DiCaprio dhe regjisori legjendar i filmit “Taxi Driver” kalojnë muaj të tërë duke u përgatitur dhe duke diskutuar projektet e tyre para se të fillojnë xhirimet.

“Ky ka qenë shpesh procesi ynë i punës. Kalojmë muaj duke debatuar, duke bërë pyetje dhe duke kundërshtuar njëri-tjetrin për mënyrën se si t’i qasemi historisë, edhe kur drejtimi nuk është ai më i dukshmi”, ka thënë aktori fitues i çmimit “Oscar”.

Ai ka shtuar se puna në filmin e ri që po realizojnë aktualisht është një nga përvojat më të thella dhe më të vlefshme mësimore në karrierën e tij.

Ylli i filmit “The Departed” ka thënë se bashkëpunimi me Scorsesen është një nga momentet për të cilat ndihet më krenar në jetën e tij.

“Jam rritur duke shikuar filma që në moshë shumë të vogël dhe duke ëndërruar të bëhem aktor. Babai më çonte të shihja filmat e Martit, bashkë me ata të Robert De Niros, dhe më thoshte: ‘Nëse ka dikë me të cilin duhet të synosh të punosh një ditë, tani që ke mundësi të bësh filma, është ky zotëri.’ Kështu e kam njohur punën e Martit shumë herët”, ka treguar DiCaprio.