Showbiz

Lenny Kravitz hyn në botën e James Bondit me lojën në “007 First Light”

Lenny Kravitz

Lenny Kravitz

Foto: Associated Press

Këngëtari i njohur, Lenny Kravitz, ka siguruar një rol në lojën shumë të pritur “007 First Light”, duke hyrë për herë të parë në universin e “James Bondit”.

Ky rol shënon gjithashtu debutimin e tij në botën e video-lojërave, pasi për herë të parë pamja dhe zëri i Kravitzit përdoren për një personazh që lëkundet mes aleatit dhe kundërshtarit në aventurën më të re të “James Bondit”, ka shkruar FemaleFirst.

Loja pritet të dalë më 27 mars 2026, në PS5, Xbox Series XS, Xbox ROG Ally X, Xbox ROG Ally, Nintendo Switch 2 dhe PC.

Paraporositë kanë nisur, dhe fansat përfitojnë një përditësim falas në Deluxe Edition, që përfshin 24 orë qasje të hershme dhe veshje ekskluzive brenda lojës. Është njoftuar edhe një Collector’s Edition për adhuruesit që duan përvojën më të plotë “Bond”.

“Franshiza e ‘Bondit’ ka trashëgimi të jashtëzakonshme në video-lojëra, ndaj të hysh në të me një personazh krejt të ri si Bawma është diçka fantastike. Ai është magnetik dhe i paparashikueshëm; ka rrezik në të, por edhe zemër dhe qëllim. Nuk është thjesht një njeri me pushtet; është dikush që ka luftuar për çdo centimetër të tij. Ta sillja këtë energji në botën e 007 ishte përvojë e jashtëzakonshme”, ka thënë Kravitz për projektin.

Gjatë spektaklit “The Game Awards”, fansat panë për herë të parë Bawman në veprim, ku “Mbreti i Piratëve” shfaqet në një përballje të tensionuar me Bondin dhe mentorin e MI6, John Greenway.

Kravitz i jep personazhit zërin dhe praninë fizike, duke portretizuar udhëheqësin e Aleph, një rrjet gjigant të tregtisë së zezë të armëve që shtrihet në gjithë hemisferën perëndimore.

Edhe historia e tij në lojë është e fortë: në moshën 17-vjeçare, Bawma kishte kaluar në majat e piraterisë moderne, duke e shndërruar një varrezë anijesh në Mauritani në bazën e perandorisë së tij.

Drejtori menaxhues i “IO Interactive”, Hakan Abrak, e ka vlerësuar lartë kontributin e Kravitzit.

“Lenny sjell një prani të jashtëzakonshme në ‘007 First Light’. Ai është një interpretues unik, me karizëm të pabesueshme, që i përshtatet në mënyrë perfekte personazhit të Bawmas. Ai ka kapur pikërisht atë që kishim imagjinuar: një burrë i frikshëm, që fiton si frikë ashtu edhe besnikëri, gjë që do të ndikojë thellë në udhëtimin e ‘Bondit’ në botën e spiunazhit”, ka thënë ai.