Showbiz

Lawrence dhe Stone bashkohen për të krijuar filmin e Miss Piggyt

Jennifer Lawrence, Miss Piggy dhe Emma Stone

Foto: Associated Press

Aktoret e mirënjohura të Hollywoodit, Jennifer Lawrence dhe Emma Stone po bashkojnë forcat për t’i dhënë personazhit Miss Piggy, filmin që ky karakter e ka merituar prej dekadash, ka shkruar Variety.

Sipas burimeve pranë gjigandit Disney, kompania që zotëron të drejtat e shfaqjes së kukullave, “The Muppets”, një film për kukullën më të famshme dhe më temperamente të botës është në zhvillim të hershëm.

Ky do të ishte filmi i parë që i dedikohet plotësisht Miss Piggyt, e cila debutoi në vitet ’70 në emisionin klasik të Jim Henson, “The Muppet Show”.

Lawrence dhe Stone do të jenë producente, ndërsa skenarin do ta shkruajë Cole Escola, fitues i çmimit “Tony” për shfaqjen e tij të suksesshme teatrale, “Oh, Mary!

“Nuk e di nëse mund ta them këtë, por do ta them gjithsesi… Emma Stone dhe unë po prodhojmë një film për Miss Piggyn dhe Cole po e shkruan atë”, ka zbuluar Lawrence në podcastin “Las Culturistas”, që udhëhiqet nga Bowen Yang dhe Matt Rogers.

Pasi moderatorët shpërthyen nga gëzimi dhe e pyetën nëse dy mikeshat e ngushta do të luanin edhe vetë në film, Lawrence e ka pranuar se po.

“Mendoj se po. Duhet... Është e çuditshme që s’e kemi bërë ende një film bashkë”, ka thënë ajo.

Aktorja tregoi më vonë në emisionin “The Tonight Show” se ideja për filmin lindi gjatë izolimit të pandemisë, në kulmin e debatit për “cancel culture”.

“Shoqja ime tha: ‘Miss Piggy është një ikonë feministe. Do të ishte shumë qesharake nëse ajo do të ‘anulohej’. Tani, ky nuk është domosdoshmërisht rrëfimi i filmit, por ishte pika që na vuri në lëvizje”, ka thënë aktorja.

Lawrence gjithashtu, në të njëjtin podcast, ka pranuar se kishte menduar të luante shfqaje teatrale në shfaqjen “Oh, Mary!”, në rolin e Mary Todd Lincoln, bashkëshortes së Abraham Lincoln.

Shfaqja, që është një komedi absurde, e paraqet zonjën e parë si një artiste kabareje me prirje për alkool.

“Gjithçka është një shaka ku ajo është në dijeni të shakasë. M’u duk se mund të isha unë, e madhe dhe pjesë e shakasë”, ka thënë Lawrence.

Megjithatë, ajo e braktisi idenë pasi e mendoj më mirë.

“Nuk mendoj se do të isha e mirë në teatër… është gjithka trup dhe zë. E vetmja herë që doja të bëja teatër ishte për ‘Oh, Mary!’ Pastaj më thanë: ‘Janë tetë shfaqje në javë dhe gjashtë javë prova’. Dhe unë pyeta: ‘A keni çerdhe aty?’ Thashë me vete: ‘jo, kjo s’do të funksiononte’”, ka treguar ylli.