Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Lady Gaga rikthehet me version krejtësisht të ri të “Mayhem”

Fotografi nga Apple Music

Fotografi nga Apple Music

Këngëtarja Lady Gaga ka dëshmuar edhe një herë pse konsiderohet një nga artistet më kreative dhe të paparashikueshme të muzikës pop, duke u rikthyer me një version krejtësisht të ri të projektit të saj “Mayhem” përmes performancës speciale “Mayhem Requiem”, ka shkruar Variety.

Në fund të turneut të saj “Mayhem Ball”, Gaga e përfundonte koncertin me hitin “Bad Romance”, ndërsa skena pas saj, një operë gjigante, përfshihej nga flakët. Ishte një moment simbolik që dukej sikur komentonte natyrën e përkohshme të muzikës pop: pasi festoi për dy orë të tëra spektaklin dhe dramatikën e zhanrit, ajo e “dogji” gjithçka në fund. Më pas, Gaga rikthehej në skenë jo si personazhi teatral që kishte luajtur gjatë koncertit, por si vetja e saj, duke buzëqeshur para krijimit që kishte ndërtuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por historia nuk mbaroi aty.

Mes pjesëve të turneut “Mayhem Ball”, Gaga prezantoi “Mayhem Requiem” në sallën Wiltern në Los Angeles, në muajin janar duke sjellë një version pothuajse krejtësisht të transformuar të albumit dhe koncertit. Projekti u konsiderua si vazhdimi, ose më vonë si përfundimi, i epokës “Mayhem”.

Fansat që fituan të drejtën për të blerë biletat prej 229 dollarësh përmes lotarisë nuk kishin asnjë ide se çfarë do të ndodhte. Disa mendonin se do të ishte një koncert akustik, të tjerë spekulonin për këngë të reja nga një version super-deluxe i albumit.

Kur u hap perdja, u kuptua menjëherë se Gaga po shkruante kapitullin e ri të “Mayhem” në kohë reale.

Skena paraqiste rrënojat e operës që ishte “djegur” në fund të “Mayhem Ball”: kolona të shkatërruara, beton i copëtuar, tym dhe drita të errëta. Gaga u shfaq e veshur sikur po merrte pjesë në funeralin e saj, duke vajtuar fundin e kaosit që kishte krijuar më parë.

Transformimet e vazhdueshme artistike nuk janë diçka e re për Gagan. Albumi “Mayhem”, i publikuar në mars 2025, riktheu elemente të periudhës së saj të hershme muzikore, por të përshtatura për kohët moderne. Ishte një rikthim tek identiteti klasik i Gagas, me koreografi të fuqishme dhe refrene të krijuara për arena të mëdha.

Por koncerti “Mayhem Requiem”, i cili u transmetua në Apple Music dhe në disa kinema AMC, që u mbajt të enjten e kësaj jave, ishte krejt ndryshe.

Nuk kishte shpërthime, skena gjigante apo spektakël tipik pop. Në vend të kësaj, performanca ishte më statike dhe më e errët, duke vendosur fokusin te muzika dhe interpretimi emocional.

Për pjesën më të madhe të koncertit, Gaga këndonte me shpinë nga publiku, me fytyrën të mbuluar nga kapelat apo vellot, sikur po largohej nga fama dhe drita e skenës.

Edhe pse mungonin balerinët dhe efektet madhështore, prania e saj artistike mbeti e fuqishme.

Ajo eksperimentoi me tinguj më të errët, të frymëzuar nga muzika new-wave dhe goth-pop e viteve ’80. Kënga “Disease”, që hapte performancën, u transformua në një version më të ftohtë dhe industrial, që kritikët e krahasuan me stilin e grupit Nine Inch Nails.

Sipas interpretimit të shumë fansave, “Mayhem Requiem” dukej si ceremonia mortore e personazhit “Mistress of Mayhem”, që Gaga kishte krijuar gjatë turneut.

Megjithatë, si zakonisht me Gagan, kuptimi i vërtetë mbetet i hapur për interpretim.

Shfaqjet e saj shpesh mbështeten në simbolika dhe koncepte artistike komplekse, gjë që i bën edhe më intriguese për publikun.

Gjatë koncertit, Gaga kalonte nga një piano në tjetrën në skenë dhe rrallëherë ndalonte së luajturi instrumente. Momentet e saj si “Pop Star Gaga” ishin të pakta, por të fuqishme, si interpretimi dramatik i “Vanish Into You” apo versioni minimalist i “The Beast”.

Performanca zgjati pak më shumë se një orë dhe ndoqi renditjen e këngëve të albumit “Mayhem”.

Edhe kënga përmbyllëse “Die With a Smile” u transformua në një marsh elektronik emocional, shumë ndryshe nga versioni salsa që Gaga kishte performuar më parë gjatë spektaklit “SuperBowl” me këngëtarin Bad Bunny.