Showbiz

Kristen Stewart kritikon ashpër Hollywoodin për mungesë të përparimit pas lëvizjes #MeToo

Kristen Stewart

Kristen Stewart

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur nga projekti filmik “Twilight”, Kristen Stewart, ka shpërthyer me kritika ndaj industrisë së filmit në Hollywood, duke thënë se pavarësisht lëvizjes #MeToo, gratë regjisore vazhdojnë të përballen me pengesa serioze për të treguar historitë e tyre.

Lëvizja #MeToo është fushatë globale kundër ngacmimeve dhe abuzimit seksual, e cila filloi në internet në vitin 2017.

Ajo u përhap pasi shumë gra dhe burra filluan të ndajnë përvojat e tyre me hashtagun #MeToo, sidomos pas akuzave ndaj producentit të famshëm të Hollivudit Harvey Weinstein.

Filmi i parë ku 25 vjeçja është regjisore, “Chronology of Water”, pritet të dalë në kinema muajin e ardhshëm. Ajo mbajti një fjalim të fuqishëm gjatë Women’s Luncheon 2025 të organizuar nga Akademia e Filmit më 4 nëntor, ka shkruar BBC.

“Në një moment pas #MeToo, dukej sikur filmat e bërë nga gratë dhe për gratë më në fund po merrnin vëmendjen që meritonin, sikur më në fund na lejohej, madje inkurajoheshim, të shprehnim vetveten dhe përvojat tona të përbashkëta, pa filtra. Por tani mund të dëshmoj për luftën e ashpër që kërkon çdo kornizë e një filmi, sidomos kur përmbajtja shihet si shumë e errët, shumë tabu, ose kur sinqeriteti me të cilin paraqiten përvojat e grave shkakton neveri apo refuzim”, ka thënë Stewart.

Aktorja ka shtuar me humor se ishte “në një gjendje të rëndë shëndetësore sot për çështje menstruale”, por vendosi të fliste hapur.

“Në këtë gjendje të aktivizuar hormonalisht, le ta thellojmë më tej këtë bisedë. Për disa njerëz është e sikletshme të flasin për pabarazinë, dhe akoma më e sikletshme kur ajo është e vështirë për t’u matur. Mund të flasim për pabarazitë në paga apo për taksat mbi tamponët, por dhuna e vërtetë është heshtja. Është si të mos na lejohet as të zemërohemi. Por unë mund ta ha këtë podium me pirun e thikë nga inati që ndjej”, ka thënë ajo përballë një audience që përfshinte emra të njohur si Kate Hudson, Alicia Silverstone dhe Riley Keough

Sipas The Ankler, vetëm katër filma të mëdhenj të studios këtë vit janë drejtuar nga gra, “Freakier Friday” (Nisha Ganatra), “Elio” (Madeline Sharafian dhe Domee Shi) dhe “I Know What You Did Last Summer” (Jennifer Kaytin Robinson).

“Rënia pas atij momenti të shkurtër përparimi është statistikisht shkatërruese. Është vërtet shkatërruese. Një numër kaq i vogël filmash të bërë nga gra është i trishtueshëm”, ka theksuar Stewart.

Ajo e përshkroi Hollywoodin si “në gjendje emergjente”, duke akuzuar industrinë për “një model biznesi të djemve që sillen sikur duan të bashkëpunojnë me ne, ndërkohë që na marrin burimet dhe përçmojnë perspektivat tona të vërteta”.

“Çdo burrë, grua dhe fëmijë duhet të kenë mbështetje për të shprehur vetveten ashtu siç janë në të vërtetë. Çdo grua ka të drejtë të përdorë zërin e saj të vërtetë, jo atë që i është krijuar nga dikush tjetër. Ajo që është e dukshme për mua është se të bëhemi sikur kjo s’po ndodh, nuk është një opsion. Ne që kemi pasur fatin të bëjmë një film, kemi përgjegjësi ndaj atyre që ende nuk e kanë pasur mundësinë”, ka thënë ndër të tjera Stewart.