Showbiz

Kristen Stewart do të donte të drejtonte rikrijimin e filmit “Twilight” me buxhet të madh

Kristen Stewart

Kristen Stewart

Foto: Associated Press

Aktorja, Kristen Stewart, ka thënë se do t’i pëlqente shumë të ishte regjisore e një rikrijimi të filmit të famshëm “Twilight”, kësaj radhe me një buxhet shumë më të madh dhe me më shumë mbështetje krijuese.

35-vjeçja u bë e famshme në mbarë botën me rolin e Bella Swan në pesë filmat e sagës “Twilight”, të publikuar mes viteve 2008 dhe 2012. Tani, ajo shprehet e hapur që ta rikthejë këtë histori, por nga prapaskena, si regjisore.

Stewart, e cila u përfshi në listën e 10 regjisoreve premtuese pas debutimit të saj regjisorial me filmin “The Chronology of Water” në vitin 2025, ka folur për këtë ide në një intervistë për Entertainment Tonight.

“Do të doja shumë. E dua punën që bëri Catherine Hardwicke, e dua atë që bëri Chris Weitz, i dua të gjithë regjisorët që punuan në këta filma”, ka thënë ajo.

Ylli ka shtuar se filmat origjinalë kishin një energji të veçantë dhe shumë personale.

“Ishin shumë origjinal, pak të çuditshëm, shumë të pranishëm në atë moment, kur ende nuk e dinin çfarë do të bëheshin, para se gjithçka të shpërthente. Imagjinoni sikur të kishim një buxhet të madh dhe shumë dashuri e mbështetje. Nuk e di… do të doja ta ripërshtatja. Po, sigurisht, do ta bëja rikrijimin. Jam e përkushtuar!”, ka thënë Stewart.

Saga “Twilight”, e bazuar në romanet e autores Stephenie Meyer, u realizua nga disa regjisorë të ndryshëm.

Filmi i parë në vitin 2008 u drejtua nga Catherine Hardwicke. Filmi “New Moon” (i vitit 2009) u drejtua nga Chris Weitz, “Eclipse” (i vitit 2010) nga David Slade, ndërsa dy pjesët e “Breaking Dawn” në vitet 2011 dhe 2012 u drejtuan nga Bill Condon.

Në këta filma, Stewart luajti përkrah aktorëve si Robert Pattinson në rolin e Edward Cullen, Taylor Lautner si Jacob Black, Anna Kendrick, Peter Facinelli dhe Kellan Lutz. Saga u shndërrua në një sukses të madh financiar dhe kulturor në mbarë botën.

Megjithatë, Stewart ka pranuar se në fillim nuk e kishte imagjinuar aspak suksesin që do të kishte filmi i parë.

“Gjithmonë dua t’u kujtoj njerëzve se filmi i parë ‘Twilight’ ishte teknikisht një film indie, pa e zvogëluar vlerën e tij. Ne thjesht nuk e dinim. Ishte një film adoleshent pak i çuditshëm, disi jashtë rrymës kryesore. Nuk mendoja se do t’u pëlqente të gjithëve. Nuk mendoja se do të bënim një vazhdim”, pati thënë ajo në podcastin Jess Cagle, në vitin 2022.