Aktorja e njohur, Catherine O’Hara, ka vdekur si pasojë e një embolie pulmonare, sipas certifikatës së vdekjes të lëshuar në Shtetet e Bashkuara, ka raportuar BBC.
Sipas Shërbimit Shëndetësor në Britani (NHS), embolia pulmonare është një gjendje kërcënuese për jetën, e cila ndodh kur një enë gjaku në mushkëri bllokohet nga një mpiksje gjaku.
Simptomat përfshijnë vështirësi të papritura në frymëmarrje, dhimbje gjoksi që shtohen gjatë frymëmarrjes dhe kollitje me gjak.
O’Hara vdiq më 30 janar, në një spital në Los Angeles, në moshën 71-vjeçare.
Përveç mpiksjes së gjakut në mushkëri, në certifikatën e vdekjes është përmendur edhe kanceri rektal si shkaktar tjetër i vdekjes.
Sipas dokumenteve, ajo kishte qenë duke u trajtuar për këtë sëmundje që nga muaji mars i vitit 2025.
Pas lajmit të ndarjes nga jeta, shumë artistë kanë shkruar për aktoren kanadeze, e cila së fundmi ishte shfaqur në serialin komedi fitues të çmimeve “Emmy”, “The Studio”, si dhe në serialin “The Last of Us”.
Aktori dhe krijuesi i “The Studio”, Seth Rogen, ka thënë se është thellësisht i tronditur nga vdekja e saj, duke e përshkruar O’Hara-n si “person me humor të jashtëzakonshëm, e mirë, intuitive dhe bujare”.
“Ne të gjithë jemi me fat që kemi jetuar në një botë ku ajo ekzistoi”, ka thënë ai.
Aktori, Pedro Pascal, i cili kishte bashkëpunuar me të në “The Last of Us”, ka shkruar në Instagram se ajo ishte gjeni.
“Oh, çfarë ndjene e mirë ishte të isha pranë teje. Jam përjetësisht mirënjohës. Ka më pak dritë në botën time. Kjo botë me fat që të pati, do të të mbajë gjithmonë”, ka shkruar ai.
O’Hara u bë e njohur për publikun e gjerë me rolin e saj në gjashtë sezonet e serialit komedi “Schitt’s Creek”, për të cilin fitoi çmimin “Emmy” për aktoren më të mirë në komedi.
Krijuesi i serialit dhe kolegu i saj, Eugene Levy, i ka thënë revistës People se kishte pasur “nderin ta njihte dhe të punonte me të madhen Catherine O’Hara për më shumë se 50 vjet”.
“Fjalët duken të pamjaftueshme për të shprehur humbjen që ndiej sot”, ka shtuar ai.
Edhe aktori, Macaulay Culkin, i cili luajti djalin e saj në filmat klasikë të festave “Home Alone” dhe “Home Alone 2: Lost in New York”, ka reaguar me një mesazh emocional në Instagram.
“Mama. Mendoja se kishim kohë. Doja më shumë. Doja të ulesha në një karrige pranë teje. Të dëgjova, por kisha ende kaq shumë për të thënë. Të dua. Do të shihemi më vonë”, ka shkruar ai.
O’Hara ka lënë pas bashkëshortin e saj, Bo Welch, dy djemtë Matthew dhe Luke, si dhe gjashtë vëllezër e motra.