Aktorja legjendare amerikane, që u bë e famshme në Hollywood gjatë viteve ’50, Kim Novak ka reaguar kundër përzgjedhjes së aktores Sydney Sweeney për ta portretizuar atë në një film biografik, duke thënë se ajo është “krejtësisht zgjedhja e gabuar për të më luajtur mua”.
Në një intervistë për The Times, aktorja 93-vjeçare ka thënë se “nuk do ta kishte miratuar kurrë” filmin “Scandalous”, i cili trajton lidhjen e saj me këngëtarin dhe aktorin Sammy Davis Jr..
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRegjisor i filmit është aktori Colman Domingo, ndërsa David Jonsson pritet të luajë rolin e Davis, por zhvillimi i filmit është ndalur për momentin.
Novak ka shprehur shqetësimin se filmi mund të fokusohet tepër në aspektin seksual të marrëdhënies së saj me Davis.
“Nuk ka asnjë mënyrë që të mos paraqitet si një lidhje seksuale, sepse Sydney Sweeney duket gjithmonë sensuale. Ajo është krejtësisht e gabuar për të më luajtur mua”, ka deklaruar ajo.
Nga ana tjetër, Sweeney nuk ka reaguar ende ndaj këtyre deklaratave.
Në një intervistë të mëhershme për People, ajo pati thënë se ishte “jashtëzakonisht e nderuar” për këtë rol dhe “shumë e emocionuar” për ta takuar Novakun.
“Historia e saj është ende shumë aktuale sot, sepse ajo është përballur me Hollywoodin, me vëmendjen ndaj marrëdhënieve të saj dhe jetës private, si dhe me kontrollin mbi imazhin e saj. Unë lidhem me këtë në shumë mënyra”, pati thënë ajo.
Më herët, në një intervistë për The Guardian, Novak kishte kundërshtuar edhe titullin e filmit,“Scandalous!”.
“Nuk mendoj se marrëdhënia jonë ishte skandaloze. Ai ishte dikush për të cilin kujdesesha shumë. Kishim shumë gjëra të përbashkëta, përfshirë nevojën për t’u pranuar për atë që jemi dhe për atë që bëjmë, jo për mënyrën si dukemi”, pati thënë ajo.

Historia e saj me Davis ka filluar në vitin 1956 dhe u zhvillua në heshtje për rreth një vit. Ata kaluan bashkë festa si Dita e Falënderimeve dhe Krishtlindjet, ndërsa Davis e vizitonte shpesh në xhirimet e filmit “Vertigo” të regjisorit Alfred Hitchcock.
Megjithatë, në vitin 1958, lidhja e tyre u bë publike nga një gazetar duke shkaktuar shqetësim te studio Columbia Pictures për reagimin e mundshëm negativ ndaj një lidhjeje ndër-racore.
Sipas raportimeve, shefi i studios, Harry Cohn, kishte punësuar persona nga bota e krimit për të kërcënuar Davisin që të martohej me një grua afro-amerikane brenda 48 orësh. Vetëm nëntë ditë më vonë, ai u martua me valltaren Loray White. Martesa nuk zgjati dhe çifti nisi procedurat e divorcit pas nëntë muajsh.
Sa i përket jetës personale, Novak u martua për pak kohë me aktorin britanik Richard Johnson në vitin 1965, dhe më pas me veterinerin Robert Malloy në vitin 1976, me të cilin qëndroi deri në vdekjen e tij në vitin 2020.