Ylli televiziv Kim Kardashian dhe kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton, raportohet se janë në fillimet e një romance të re, pasi ylli amerikan i reality show-ve udhëtoi drejt Britanisë për të kaluar një mbrëmje me kampionin britanik në një resort luksoz në fshat.
Kardashian, nënë e katër fëmijëve dhe 45 vjeçe, ka fluturuar nga Los Angeles me avionin e saj privat me vlerë rreth 100 milionë paund për të kaluar një fundjavë intime me Lewis Hamiltonin, 41 vjeç, në Estelle Manor, një klub ekskluziv në Cotswolds.
Sipas burimeve për The Sun, çifti shijoi një darkë private dhe një masazh për çifte, si pjesë e një arratisjeje romantike larg vëmendjes së publikut.
“Gjithçka dukej shumë romantike. Kim dhe Lewis shfrytëzuan të gjitha ambientet që ofroheshin. Ata kishin rezervuar një masazh për çifte dhe kishin në dispozicion ambientet vetëm për vete”, ka thënë një burim.
Kim mbërriti të shtunën pasdite në aeroportin e Oksfordit, e shoqëruar nga dy truproja dhe me shumë bagazhe, ndërsa një makinë e veçantë u përdor vetëm për valixhet e saj.
Rreth një orë më vonë, Lewis Hamilton, pilot i ekipit të Ferrarit, mbërriti në resort me helikopter nga Battersea Heliport në Londër.
“Ardhja e Kim ishte shumë diskrete. Ajo u shoqërua nga truprojat dhe u fut menjëherë brenda. Më vonë, rreth orës 16:00, Lewis zbriti me helikopter dhe hyri në ambientet ku kishte edhe mysafirë të tjerë”, ka thënë një dëshmitar.
Burimet shtojnë se çifti ndau një dhomë në pjesën kryesore të rezidencës, e cila shtrihet në 85 hektarë tokë, dhe kishte përdorim ekskluziv të spa-së dhe pishinës gjatë mbrëmjes, përpara një darke intime vetëm për dy persona.
“Gjithçka u mbajt shumë private. Ata qartazi donin kohë vetëm për veten. Darka u shtrua në një sallë private, pa praninë e mysafirëve të tjerë. Estelle Manor është vendi ideal për një takim të tillë, luksoz dhe shumë elegant”, ka thënë një burim tjetër.
Të dielën në mëngjes, Hamilton u pa duke përdorur palestrën dhe duke shëtitur në ambientet e jashtme me një kostum sportiv.
Çifti u largua rreth orës 11:00.
Një dëshmitar ka vërejtur një nga truprojat e Kim duke mbajtur çantën e saj Birkin me vlerë rreth 80 mijë paund, si dhe tetë valixhe.
“Nuk mund të mos e vëreje që ishte ajo. Kishte shumë valixhe me emrin e saj të gdhendur”, ka thënë ai.
Kim dhe Lewis njihen prej vitesh dhe kanë qenë pjesë e të njëjtit rreth shoqëror.
Ata janë parë bashkë që në vitin 2014 në ngjarje publike, së bashku me partnerët e tyre të atëhershëm, Kanye West dhe Nicole Scherzinger.
Hamilton ka qenë gjithashtu mik i afërt i familjes Kardashian-Jenner dhe ka ruajtur marrëdhënie miqësore me Kimin edhe pas ndarjes së saj nga West në vitin 2021.
Në vitin 2021, Hamilton ka publikuar një foto me Kardashianin nga Wall Street Journal Innovator Awards.
“Është një nder i madh të vlerësohesh mes një grupi kaq të jashtëzakonshëm talentesh”, pati shkruar ai.
As Kim Kardashian dhe as Lewis Hamilton nuk kanë publikuar ndonjë postim nga qëndrimi i tyre në Estelle Manor, duke lënë gjithçka në kuadrin e raportimeve. Përfaqësuesit e tyre nuk kanë komentuar mbi raportimet.