Aktori Kevin Spacey do të përballet me akuza civile për sulm seksual në Gjykatën e Lartë në Londër vitin e ardhshëm.
Spacey, i cili në vitin 2023 u shpall i pafajshëm për shtatë akuza për sulm seksual dhe dy akuza të tjera të lidhura me aktivitete seksuale pa pëlqim, tani është paditur nga tre burra që pretendojnë se ai i ka sulmuar mes viteve 2000 dhe 2013. Gjatë një seance të mërkurën (26.11.2025), gjykatësi caktoi datën paraprake të gjyqit: 12 tetor 2026, ka raportuar FemaleFirst.
Paditësit kërkojnë që çështjet të bashkohen në një proces të vetëm, për të shmangur që ata dhe Spacey të dëshmojnë disa herë. Avokatja e tyre, Elizabeth-Anne Gumbel, ka thënë se është më e drejtë që të gjitha pretendimet të trajtohen së bashku.
Aktori 66-vjeçar i ka mohuar të gjitha akuzat. Ai ka mohuar zyrtarisht dy prej pretendimeve dhe nuk ka paraqitur ende një përgjigje për të tretin.
Dy nga paditësit që u përfshinë edhe në procesin penal kanë ngritur tashmë padi civile.
Njëri prej tyre, i identifikuar vetëm si LNP, pretendon se Spacey e ka “sulmuar qëllimisht” rreth 12 herë mes viteve 2000 dhe 2005.
Një tjetër, i identifikuar si GHI, thotë se ka “pësuar dëme psikologjike dhe humbje financiare” si rezultat i një sulmi të dyshuar në vitin 2008, pas një takimi me aktorin në një punëtori në teatrin Old Vic në Londër.
Paditësi i tretë, Ruari Cannon, ka hequr dorë nga e drejta për anonimitet. Ai pretendon se Spacey e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme në një festë pas natës së premierës së shfaqjes “Sweet Bird of Youth” në vitin 2013. Cannon është shfaqur më parë edhe në dokumentarin “Spacey Unmasked” (2024).
Spacey ka hedhur poshtë pretendimin, duke e quajtur atë “qesharak dhe që nuk ka ndodhur kurrë”.
“Sa herë që më është dhënë koha dhe një forum i duhur për t’u mbrojtur, pretendimet kanë rënë nën shqyrtim dhe unë jam shpallur i pafajshëm”, ka shkruar ai në rrjetin social X pas publikimit të dokumentarit.
Ai ka pranuar më herët se ka qenë “pak i papërshtatshëm”, por ka insistuar se kurrë “nuk ka ngacmuar askënd”.