Në librin e tij të ri memoar, ish-bashkëshorti i këngëtares, Britney Spears, Kevin Federline, ngre shqetësimin se heqja e kujdestarisë së këngëtares katër vjet më parë mund të ketë qenë një vendim i gabuar.
Në librin me titull “You Thought You Knew”, që del më 21 tetor, Federline, balerin, DJ dhe baba i dy djemve me Spearsin, përshkruan jetën e tij nga adoleshenca në Fresno, Kaliforni, deri te martesa dhe përplasjet pas divorcit me këngëtaren, ka raportuar The New York Times.

Ai dhe Spears u martuan në vitin 2004, u divorcuan në vitin 2007 dhe u përfshinë në një betejë të gjatë për kujdestarinë e fëmijëve, e cila përfundoi në vitin 2008. Në libër, Federline tregon versionin e tij të ngjarjeve dhe përmend përdorimin e drogës e alkoolit nga Spearsi, si dhe shpërthimet e saja gjatë fundit të martesës.
18 vjet që nga ndarja, Federline thotë se e ka vëzhguar ish-bashkëshorten nga distanca, teksa janë përpjekur të bashkëprindërojnë djemtë Sean Preston (20 vjeç) dhe Jayden James (19 vjeç).
“Nuk kemi folur prej vitesh”, ka thënë i tha ai për The New York Times.
Megjithatë, ai shkruan se është bërë gjithnjë e më i shqetësuar për “sjelljen e çrregullt” të Spearsit, për të cilën mëson kryesisht nga djemtë e tyre.
Në një kapitull të librit, Federline përshkruan një moment kur djemtë adoleshentë i thanë se nuk donin më të shkonin në shtëpinë e nënës.
“Ata zgjoheshin ndonjëherë natën dhe e gjenin duke qëndruar në derë, duke i shikuar teksa flinin, ndërkohë që ju thoshte ‘Oh, u zgjove?’, me një thikë në dorë. Pastaj ajo kthehej dhe largohej pa asnjë shpjegim”, shkruan ai.
Në kapitullin e parafundit, ai shpreh hapur frikën e tij.
“E vërteta është se kjo situatë me Britneyn më duket sikur po shkon drejt diçkaje të pakthyeshme. Është bërë e pamundur të shtiremi sikur gjithçka është në rregull. Nga këndvështrimi im, ora po troket dhe po afrohemi te momenti i fundit. Diçka e keqe do të ndodhë nëse gjërat nuk ndryshojnë, dhe frika ime më e madhe është që djemtë tanë do të mbeten për t’i mbledhur copat”, ka shkruar Federline.
Një përfaqësues i Spears nuk pranoi të komentojë. Në librin e saj me kujtime, të cilat po përshtaten për film, Spearsi mohon të ketë pasur probleme serioze me substancat dhe përshkruan betejën për kujdestari me Federline si “traumatike”.
Ajo ka shkruar se ai nuk e linte t’i shihte djemtë për javë të tëra dhe “përpiqej t’i bindte të gjithë se isha krejt jashtë kontrollit”, si pjesë e përpjekjes së tij për të fituar kujdestarinë e plotë.
Federline, i cili ka marrë pjesë edhe në disa programe televizive, ka thënë se nuk e ka diskutuar përmbajtjen e librit me Spearsin.
“Asnjëherë, as edhe një herë, nuk kam qenë kundër Britneyt. Kam dashur vetëm t’i ndihmoj djemtë e mi të kenë një marrëdhënie të mirë me nënën e tyre. Dhe është e vështirë, sepse kur mendoj për gjithçka që ka ndodhur, fëmijët e mi nuk e njohin gruan me të cilën u martova. Kam kaluar dy dekada duke u përpjekur ta mbush atë boshllëk”, ka thënë Federline.
Spears, nga ana e saj, ka shprehur dëshirën për ta rindërtuar marrëdhënien me djemtë dhe gjatë vitit të fundit ka postuar disa herë fotografi e kujtime me ta në rrjetet sociale.
Në libër, Federline përmend edhe natën dramatike të vitit 2008, kur Spears u dërgua me urgjencë në spitalin Cedars-Sinai dhe u mbajt nën vëzhgim psikiatrik për 72 orë, pas një përplasjeje disaorëshe rreth fëmijëve.
“Ishte një nga netët më të vështira të jetës sime. Më vinte keq për atë që po kalonte. Ishte dikush që e kisha dashur, dikush me të cilën kisha ndërtuar një jetë. Nëna e fëmijëve të mi”, ka thënë ai.
Një gjykatës në Los Angeles e përfundoi kujdestarinë ndaj këngëtares në vitin 2021, duke thënë se “nuk ishte më e nevojshme”.
Federline shkruan se lëvizja “Free Britney”, që kërkonte lirimin e këngëtares nga kujdestaria, mund të ketë nisur me qëllime të mira, por sipas tij “e demonizoi aq shumë rrethin e saj saqë tani profesionistët që mund ta ndihmonin kanë frikë të afrohen”.
“Të gjithë ata që vunë aq shumë energji për ta ‘çliruar’ Britneyn, tani duhet ta përdorin të njëjtën energji për ta ‘shpëtuar’ atë. Sepse kjo nuk ka të bëjë më me lirinë, por me mbijetesën”, ka shkruar Federline.
Në muajt e fundit, Spears ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave me postime të çuditshme në rrjetet sociale, përfshirë një video ku vallëzon në një shtëpi që dukej e rrëmujshme ndërkohë që e kishte gjurin të mbështjellur me fashë.
“Më kërcet ndonjëherë, nuk e di nëse është thyer”, ka shkruar ajo në Instagram për gjurin.
Në fund të librit, Federline i bën thirrje publikut.
“Kushdo që ndonjëherë është prekur nga muzika apo historia e Britneyt, le të qëndrojë pranë fëmijëve tanë dhe pranë saj. Më shumë se kurrë, ata kanë nevojë për mbështetjen tuaj. Kam qenë unë mburoja e tyre për vite, por tani kjo është më e madhe se unë. Është koha të ngrihet alarmi”, ka shkruar ai.