Këngëtarja, Katy Perry dhe ish-kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, duket se e kanë bërë zyrtare lidhjen e tyre në Instagram, pasi këngëtarja publikoi disa fotografi dhe video nga udhëtimi i tyre i përbashkët në Japoni, ka raportuar BBC.
Në një prej fotografive, Perry dhe Trudeau shihen duke buzëqeshur për një selfie, me fytyrat pranë njëra-tjetrës. Në një video tjetër, dyshja shihet duke provuar sushi.

As Perry dhe as Trudeau nuk kanë folur publikisht për raportin e tyre, por spekulimet për një lidhje mes tyre kanë nisur prej muajsh, pas disa pamjeve ku ata shfaqeshin së bashku.
Trudeau ishte parë edhe në koncertin e Perryt më herët gjatë këtij viti, çka i shtoi më tej thashethemet për një romancë mes tyre. Këngëtarja ndodhej në Japoni në kuadër të turneut të saj botëror “Lifetimes Tour”.
“Ditë në Tokio gjatë turneut dhe më shumë”, ka shkruar 41 vjeçja në postimin e saj.
Ndërkohë, Trudeau, 53 vjeç, repostoi gjithashtu një fotografi ku shfaqet me Perryn, ish-kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, dhe bashkëshorten e tij, Yuko.
“Ishte kënaqësi të shihemi, Fumio. Katy dhe unë ishim shumë të lumtur që patëm mundësi të uleshim me ty dhe Yuko. Faleminderit për miqësinë dhe përkushtimin tënd ndaj rendit ndërkombëtar dhe një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”, ka shkruar Trudeau në postimin e tij në rrjetin social X.


Muajin e kaluar, Perry dhe Trudeau duket se e konfirmuan lidhjen e tyre edhe publikisht, pasi u fotografuan duke u mbajtur për dore gjatë një ngjarjeje në Paris. Fotografitë dhe videot u publikuan nga portali TMZ, ku Trudeau shihet duke e ndihmuar këngëtaren të hipë në makinë, ndërsa fotografët i thërrisnin.
Dalja e tyre në Paris përkoi me ditëlindjen e 41-të të Perryt dhe u pa si shfaqja e tyre e parë publike si çift. Asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së BBC-së për koment.
Gjatë një koncerti të fundit në Londër, Perry duket se la të kuptohej për statusin e saj sentimental. Pasi një fans i propozoi martesë nga publiku, ajo bëri shaka duke thënë: “Do të doja të më kishe pyetur 48 orë më herët”, tha ajo, vetëm pak ditë pasi fotot e saj me Trudeau u publikuan online.
Katy Perry ishte më parë në një lidhje të gjatë me aktorin Orlando Bloom. Çifti, i cili ishte së bashku për rreth dhjetë vjet dhe kanë një vajzë, u ndanë gjatë verës.
Justin Trudeau shërbeu si kryeministër i Kanadasë nga viti 2015 deri në vitin 2025. Ai ishte i martuar me Sophie Grégoire për 18 vjet, para se çifti të ndahej në verën e vitit 2023. Ata kanë tre fëmijë së bashku.