Showbiz

Kate Winslet ka treguar se në fëmijëri është tallur për trupin

Kate Winslet

Kate Winslet

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur, Kate Winslet, ka treguar se është tallur për trupin e saj kur ishte e re dhe i është thënë se duhet të luante vetëm “role për vajza të shëndosha”.

Winslet, që debutimin si regjisore e ka bërë me filmin “Goodbye June”, i cili është publikuar këtë muaj, ka rrëfyer se është gjykuar për pamjen e saj që në moshë të vogël, jo vetëm nga bashkëmoshatarët, por edhe nga mësuesit, ka raportuar The Guardian.

Winslet ka kujtuar një moment të veçantë me një mësuese drame, e cila i kishte thënë se do të kishte karrierë vetëm nëse ishte e gatshme të pranonte “role për vajza të shëndosha”.

“Shiko ku jam sot. Është tronditëse çfarë u thonë njerëzit fëmijëve”, ka thënë Winslet.

Duke folur për emisionin Desert Island Discs në BBC Radio 4, Winslet ka treguar se në shkollë është tallur për peshën e saj, është quajtur “dhjam” dhe madje është mbyllur në dollap.

“Mësova shumë herët të kem lëkurë të trashë”, ka thënë ajo.

Aktorja e la shkollën në moshën 16-vjeçare, rreth kohës kur mori rolin e saj të parë në film, në projektin filmik “Heavenly Creatures” të vitit 1994, me regji të Peter Jackson.

Ajo ka pranuar se përjetimet e asaj kohe ndikuan në marrëdhënien e saj me trupin dhe ushqimin.

Nga mosha 15 deri në 19 vjeç, ajo ka mbajtur dieta të shpeshta, ndërsa në moshën 19-vjeçare thotë se mezi ushqehej.

“Ka qenë një periudhë jo e shëndetshme dhe diçka për të cilën pendohem”, ka thënë ajo.

Gjatë kohës së bullizmit, Winslet ka treguar se është përqendruar edhe më shumë te aktrimi dhe bota krijuese jashtë shkollës.

“Nuk doja t’ua lejoja të ma prishnin rrugën që isha e vendosur të ndiqja. Në fund të fundit, kisha gjithmonë një familje të mrekullueshme ku kthehesha”, ka thënë ajo, duke cekur se mbështetja e familjes së saj ka qenë vendimtare.