Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kanye West shtyn koncertin e planifikuar në Marseille

Kanye West

Kanye West

Foto: Associated Press

Reperi i njohur, Kanye West ka njoftuar se do ta shtyjë koncertin e tij të planifikuar në Marseille, mes raportimeve se autoritetet franceze po shqyrtonin mundësinë për ta ndaluar performancën e tij për shkak të deklaratave të mëparshme antisemitike, ka raportuar The Guardian.

“Pas shumë mendimesh dhe reflektimi, është vendimi im i vetëm të shtyj koncertin tim në Marseille, Francë, deri në një njoftim të ri”, ka shkruar në rrjetin social X artisti që njihet si Ye.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas burimeve pranë ministrit të Brendshëm francez, Laurent Nunez, ai është “shumë i vendosur” për ta ndaluar koncertin e planifikuar më 11 qershor në stadiumin Stade Vélodrome dhe po shqyrton “të gjitha mundësitë”.

48-vjeçari është kritikuar ashpër për deklarata antisemitike dhe për shprehje admiruese ndaj Adolf Hitlerit.

Ndërkohë, Britania i ka ndaluar hyrjen në vend për shkak të deklaratave të tij, gjë që çoi edhe në anulimin e festivalit ku ai do të ishte kryefjala. Kryeministri britanik, Keir Starmer, e kishte cilësuar ftesën për Westin si “thellësisht shqetësuese”.

Nga ana tjetër, ministri holandez për azil dhe migracion, Bart van den Brink, ka deklaruar se aktualisht nuk ka plane për ta ndaluar hyrjen e reperit në Holandë.

Burimet në Francë bëjnë të ditur se Nunez e ka diskutuar mundësinë e ndalimit të koncertit me prefektin rajonal dhe kryetarin e bashkisë së Marseille gjatë një vizite javën e kaluar.

Kryetari i majtë i bashkisë, Benoit Payan, ka dalë hapur kundër koncertit.

“Nuk do të lejoj që Marseille të shndërrohet në një vitrinë për ata që promovojnë urrejtje dhe nazizëm të hapur”, ka deklaruar ai.

Ai shtoi gjithashtu në X se West nuk është i mirëpritur në Velodrome.

“Kanye West nuk është i mirëpritur në Velodrome, tempulli ynë i bashkëjetesës dhe i përkatësisë për të gjithë banorët e Marseille”, ka shkruar ai.

Në muajin maj të vitit 2025, West ka publikuar këngën “Heil Hitler”, disa muaj pasi kishte promovuar edhe një bluzë me simbolin e svastikës në faqen e tij. Kënga u ndalua nga platformat kryesore të transmetimit.

Më pas, reperi ka shprehur pendesë për sjelljen e tij, duke e lidhur atë me çrregullimin bipolar. Para anulimit të performancave në festivalin “Wireless”, ai kishte deklaruar se ishte i gatshëm të takonte komunitetin hebre në Londër për të kërkuar falje.

“E di që fjalët nuk mjaftojnë, do të duhet ta tregoj ndryshimin përmes veprimeve të mia”, ka thënë ai.