Mohammad Bakri, aktor dhe regjisor i njohur palestinez, i vlerësuar njëkohësisht edhe kontrovers, ka vdekur në moshën 72-vjeçare, ka njoftuar familja e tij, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Bakri ishte një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë dhe teatrit palestinez, i njohur për përpjekjet e tij për të treguar kompleksitetin e identitetit dhe përvojës palestineze përmes veprave të realizuara si në gjuhën arabe ashtu edhe në hebraisht.
Ai u bë më së shumti i njohur për dokumentarin “Jenin, Jenin” të vitit 2003, të cilin e drejtoi pas një operacioni ushtarak izraelit në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor gjatë intifadës së dytë palestineze. Filmi fokusohej në shkatërrimin e madh dhe vuajtjet e banorëve palestinezë dhe u ndalua nga autoritetet izraelite.
Së fundmi, Bakri ishte pjesë e filmit të vitit 2025 “All That’s Left of You”, një dramë që ndjek historinë e një familjeje palestineze për më shumë se 76 vjet. Në këtë film ai luajti përkrah dy djemve të tij, Adam dhe Saleh Bakri, të cilët janë gjithashtu aktorë. Filmi është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar.
Gjatë karrierës së tij, Bakri ka realizuar dhe interpretuar disa filma që pasqyronin përvoja të ndryshme palestineze. Ai ka punuar edhe në gjuhën hebraike, përfshirë angazhime në Teatrin Kombëtar të Izraelit në Tel Aviv, dhe u shfaq në disa filma të njohur izraelitë të viteve ’80 dhe ’90. Studimet i kishte kryer në Universitetin e Tel Avivit.
I lindur në veri të Izraelit dhe me shtetësi izraelite, Bakri ishte aktiv si në film ashtu edhe në teatër.
Një nga veprat e tij më të njohura ishte shfaqja solo e vitit 1986, “The Pessoptimist”, e bazuar në shkrimet e autorit palestinez Emile Habiby, e cila trajtonte ndjenjat, dilemat dhe kontradiktat e një personi me identitet njëkohësisht palestinez dhe izraelit.
Në vitet ’80, Bakri ka interpretuar role në filma izraelitë që synonin humanizimin e identitetit palestinez. Një prej tyre ishte “Beyond the Walls”, një film i rëndësishëm që trajtonte jetën e të burgosurve izraelitë dhe palestinezë.
Sipas profesoreshës së kinemasë në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, Raya Morag, këto role patën ndikim të madh.
“Ai theu stereotipet se si izraelitët i shihnin palestinezët dhe lejoi që një palestinez të perceptohej si hero në shoqërinë izraelite”, ka thënë Morag.
Ajo ka shtuar se Bakri ishte “një njeri shumë i guximshëm”, i cili “qëndroi besnik ndaj parimeve të tij, duke refuzuar të ishte konformist dhe duke paguar çmimin e këtij qëndrimi në të dyja shoqëritë”.
Bakri u përball edhe me kritika nga brenda shoqërisë palestineze për bashkëpunimin e tij me izraelitët. Pas publikimit të “Jenin, Jenin”, ai u përfshi për gati dy dekada në procese gjyqësore në Izrael, ku dokumentari u cilësua si i njëanshëm dhe nxitës.
Në vitin 2022, Gjykata Supreme e Izraelit la në fuqi ndalimin e filmit, duke argumentuar se ai shpifte për ushtarët izraelitë, dhe urdhëroi Bakrin të paguante dhjetëra mijëra dollarë dëmshpërblim ndaj një oficeri izraelit.
Sipas Raya Morag, “Jenin, Jenin” ka shënuar një pikë kthese në karrierën e tij. Në Izrael, Bakri u bë një figurë polarizuese dhe nuk punoi më me kinemanë kryesore izraelite.
“Ai mbeti besnik ndaj vetes pavarësisht presioneve nga të gjitha anët. Ishte një zë i qëndrueshëm që nuk ndryshoi me kalimin e viteve”, ka thënë ajo.
Mediat lokale cituan familjen e tij të ketë thënë se Bakri vdiq të mërkurën pas problemeve me zemrën dhe mushkëritë. Kushëriri i tij, Rafic Bakri, i ka thënë portalit arab Al-Jarmaq se Mohammad Bakri ishte mbështetës i palëkundur i çështjes palestineze, të cilën e shprehu përmes artit të tij.
“Jam i sigurt se Abu Saleh do të mbetet në kujtesën e popullit palestinez kudo dhe të gjithë njerëzve të botës së lirë”, ka thënë ai, duke përdorur nofkën e aktorit.