Këngëtari i njohur Justin Bieber i ka kërkuar publikisht falje bashkëshortes së tij, Hailey Bieber, pas një debati të ashpër gjatë të cilit i kishte thënë se “s’do të ishte kurrë në ballinën e prestigjiozes ‘Vogue’”. Komenti i tij i ashpër ishte bërë në një moment tensioni dhe siç shpjegon vetë ai, “ndihesha sikur me mungonte respekti dhe doja të hakmerresha”.
“Ky postim më kujton një debat të madh që patëm me Haileyn. I thashë: ‘Ti nuk do të jesh kurrë në ballinën e ‘Vogue’’. E di, shumë e ulët. Për një arsye, sepse ndihesha sikur më mungonte respekti, mendova se duhej të hakmerresha. Por isha gabim”, ka treguar 31-vjeçaro në Instagram, ka raportuar CNN.
Më pas ai i ka zëvendësuar këto fjali me disa emoji.
Kjo kërkesë për falje erdhi menjëherë pasi Hailey Bieber, 28-vjeçare, u shfaq në ballinën e edicionit veror të revistës “Vogue”, ku foli hapur për martesën e saj me Bieber, sidomos pas muajve të thashethemeve që qarkullonin për krizë në lidhjen e tyre, pas lindjes së djalit të tyre, Jack, vitin e kaluar.
Në intervistë, Hailey komentoi zërat rreth martesës së tyre.
“Epo, mendova që pas shtatë vjetësh martese do të kishin pushuar, por nuk ka ndodhur. Do të mendoje se pasi kemi një fëmijë, njerëzit do të qetësoheshin pak, por jo. Kështu që, duket se këta njerëz do të vazhdojnë të jenë të mërzitur”.
Ajo ka folur edhe për përvojën e saj pas lindjes dhe presionin e opinionit publik.
“Të jesh në fazën pas lindjes është periudha më e ndieshme që kam kaluar ndonjëherë në jetë. Të njohësh një version të ri të vetes është shumë e vështirë. Dhe ndërkohë, të përballesh çdo ditë me internetin ku njerëzit thonë: ‘Po ndahen’; ‘Nuk janë të lumtur’, është një çmenduri për mendjen”, ka thënë modelja.
Bieber, i cili është martuar me Haileyn në vitin 2018, shprehu mbështetjen dhe krenarinë për bashkëshorten e tij në po të njëjtën intervistë për “Vogue”.
“Ajo është në qendër të vëmendjes për shkak të shijes së saj natyrale për stilin, artin, modën dhe biznesin. Mënyra se si e bën të duket e lehtë të jesh nënë dhe bashkëshorte më mahnit. Kam bërë shumë gjëra të gabuara në jetë, por më e mençura ka qenë martesa me Haileyn”, ka thënë këngëtari.