Showbiz

Jodie Foster: Nuk di të bëj shumë gjëra njëkohësisht, më pëlqen përqendrimi i plotë

Jodie Foster

Jodie Foster

Foto: Associated Press

Aktorja Jodie Foster ka thënë se nuk është person që bën shumë gjëra njëkohësisht dhe se preferon t’i kushtohet një gjëje të vetme, me përqendrim të plotë, para se të kalojë te tjetra.

Foster, 63 vjeçe, tregoi për revistën Red se i pëlqen t’i japë një projekti gjithë vëmendjen dhe, sapo ta përfundojë, të vazhdojë menjëherë me diçka tjetër.

“Ky është personaliteti im. Më pëlqen të bëj një gjë me përqendrim total dhe pastaj ta mbyll dhe të shkoj të bëj ski. Nuk jam person që bën shumë gjëra njëkohësisht. Nuk mund të hyj e të dal nga një punë, pastaj të kaloj te diçka tjetër. Jam si një kanal i vetëm”, ka thënë ajo, ka raportuar FemaleFirst.

Aktorja e filmit “A Private Life” ka thënë se i pëlqen të sfidojë veten dhe se kënaqësinë më të madhe e gjen kur mëson gjëra të reja që kërkojnë përfshirje të plotë mendore dhe fizike.

“Do të doja që dikush të më thoshte: ‘Në rregull Jodie, do të marrësh një vit nga jeta jote dhe do të mësosh gjuhën mandarin  dhe do t’i biesh flautit’. Unë jam gati. Dua të marr përsipër diçka të tillë”, ka thënë ajo.

Foster ka shtuar se i pëlqen edhe ideja për t’u kthyer në shkollë për një vit.

“Por nuk dua të ngec duke bërë një zotim për diçka që më pas duhet ta bëj gjithë jetën si eksperte. Unë thjesht dua të luaj rolin e ekspertes në televizion”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, ylli i “Silence of the Lambs” ka thënë se është e lumtur që sot ka gjithnjë e më shumë role të rëndësishme për gratë më të rritura në film dhe televizion.

“Ndoshta kjo ndodh sepse aktorët tanë më të mirë më në fund po plaken dhe u desh të krijoheshin projekte për ta. Gjithashtu, gjërat kanë ndryshuar. Mendoj se u krijua një vetëdije reale në industri. Kur unë u rrita në botën e filmit, nuk kishte gra të tjera. Isha vetëm unë dhe një grup i madh burrash. Rrallë shihja ndonjë fytyrë gruaje, përveç ndonjëherë nënës sime ose grimueses”, ka thënë aktorja.

Foster ka thënë gjithashtu se është gjithmonë e hapur që rolet të përshtaten për të.

“Për shembull, ‘True Detective’ nuk ishte shkruar për një grua të moshës sime. U bë një grua e moshës sime sepse më punësuan mua, por fillimisht ishte shkruar për një grua 35-vjeçare. Ose filmi ‘Flightplan’, ai ishte shkruar për një burrë”, ka thënë ndër të tjera ajo.