Aktorja e njohur, Jodie Foster ka kujtuar një përvojë nga fëmijëria e saj si yll i vogël i kinemasë, duke treguar se u sulmua nga një luan gjatë xhirimeve të filmit të Disneyt “Napoleon and Samantha” në vitin 1972. Ajo ka thënë se edhe sot e kësaj dite mban shenja nga ky incident.
Foster, tani 63 vjeçe, ishte vetëm nëntë vjeç kur ndodhi sulmi në shesh xhirim.
Në një intervistë për W Magazine, ajo ka zbuluar se ka ende shumë shenja në trup nga ai moment.

“U sulmova nga një luan kur isha tetë e gjysmë ose nëntë vjeçe. Luani më kapi, më tundte, më lëvizi horizontalisht dhe pastaj më hodhi”, ka thënë
Aktorja ka treguar se luani i kishte lënë plagë të qarta në trupin e saj.
“Kisha dy shenja të përkryera shpimi në njërën anë dhe dy në anën tjetër, në ijë. Por me kalimin e viteve dhe ndërsa rritesh, nuk e di më saktësisht se ku janë. Ato thjesht lëvizin bashkë me trupin”, ka thënë ajo.

Jodie ka sqaruar se nuk ekziston asnjë pamje filmike e sulmit, pasi incidenti ndodhi pasi xhirimi i skenës kishte përfunduar.
“Isha në shok, ndaj nuk mbaj mend shumë detaje. Mbaj mend vetëm ngjarjen. Pashë që vinte përpara. Kisha punuar edhe më herët me luanë, por kur më kapi, më ngriti, më lëvizi anash dhe më tundte”, ka treguar aktorja.

Ylli ka kujtuar edhe reagimin e ekipit të filmit në atë moment.
“Kur më ktheu drejt gjithë ekipit të kamerave, pashë të gjithë duke ikur, por anash. I pashë duke vrapuar anash, duke marrë gjithë pajisjet me vete, thjesht duke ikur prej meje”, ka shtuar ajo.

Fatmirësisht, trajneri i luanit arriti ta merrte situatën nën kontroll. Foster e ka përshkruar këtë ngjarje si “ndoshta gjënë më të frikshme që më ka ndodhur ndonjëherë gjatë realizimit të një filmi”.
Pas trajtimit në spital, ajo u kthye sërish në shesh xhirim dhe, sipas saj, iu desh të punonte sërish me të njëjtin luan, këtë herë duke mbajtur një gjel për një skenë.

“Gjeli nuk ishte mësuar të punonte me këtë luan. E pashë luanin që e ktheu kokën dhe bëri një lëvizje sikur do të më afrohej. E hodha gjelin dhe ika vrap. Mendoj se ai moment ishte edhe më i frikshëm”, ka thënë Foster.