Komediani i njohur, Jimmy Kimmel, ka rrëfyer se është ndier i tejlodhur dhe pa përvojë në vitet e para të karrierës së tij televizive.
Komediani 57-vjeçar, që ka drejtuar emisionin Jimmy Kimmel Live! që nga viti 2003, ka thënë se në fillim nuk dinte çfarë po bënte dhe shpesh kishte menduar se do të ishte më mirë që programi të anulohej.
“Nuk e dija çfarë po bëja dhe nganjëherë lutesha që ta anulonin emisionin. Nuk doja të dorëzohesha, sepse nuk doja t’i zhgënjeja të gjithë ata njerëz që punonin për mua, por thjesht nuk mundesha më… nuk e përballoja dot”, ka treguar Kimmel gjatë podcastit “Where Everybody Knows Your Name”, ka raportuar FemaleFirst.
Në atë periudhë, ai kishte vështirësi edhe për të siguruar mysafirë të njohur në studio.
“Emisioni transmetohej drejtpërdrejt pas mesnate, në orën 12:05, dhe kishte ditë kur ora ishte 5:30 pasdite dhe ende s’kishim asnjë të ftuar për atë mbrëmje. Më duhej t’i telefonoja miqve të mi personalisht. Dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një emision televiziv”, ka thënë komediani.
Kohët e fundit, Kimmel është rikthyer në punë pas një pezullimi të përkohshëm, që ndodhi pas komenteve të tij për Tyler Robinson, burrin e akuzuar për vrasjen e aktivistit politik Charlie Kirk në muajin shtator.
“Kemi arritur në nivele të reja të ulëta këtë fundjavë, me grupin MAGA që përpiqet me çdo kusht ta paraqesë këtë djalë që vrau Charlie Kirk si dikë tjetër nga ata, duke bërë gjithçka për të fituar pikë politike. Në mes të gjithë akuzave, kishte edhe njerëz që vërtet po vajtonin”, pati thënë ai gjatë monologut të hapjes së një episodi të emisionit.
Pas reagimeve, kompania gjigande “Disney” vendosi të pezullojë përkohësisht prodhimin e emisionit për të shmangur tensione të mëtejshme.
“Të mërkurën e kaluar vendosëm të ndërpresim përkohësisht prodhimin e emisionit për të mos përshkallëzuar një situatë të ndjeshme për vendin. E morëm këtë vendim sepse ndjemë se disa komente ishin të parakohshme dhe të papërshtatshme. Pas disa ditësh bisedimesh të kujdesshme me Jimmyn, kemi vendosur që emisioni Jimmy Kimmel Live! të rikthehet të martën”, pati deklaruar kompania.