Këngëtarja britanike, Jessie J, ka ndarë një lajm të mirë për shëndetin e saj duke bërë të ditur se kanceri nuk i është përhapur.
Përmes një videoje emocionale të postuar në Instagram, ajo ka treguar se po e merr veten pas operacionit dhe se ndodhet në fazë shërimi, ka raportuar FemaleFirst.
Në video dëgjohet djali i saj dyvjeçar, Sky, duke thënë se “mami do të jetë mirë”.
37 vjeçja, e ka shoqëruar videon me një përshkrim të shkurtër.
“Dhe... JAM MIRË. Rezultatet = Nuk ka përhapje të kancerit. Lotët e gëzimit janë të vërtetë. Faleminderit për lutjet, dashurinë, urimet dhe gjithë energjinë pozitive”, ka shkruar këngëtarja.
Në një postim tjetër, ajo ka treguar se videoja ishte incizuar një natë para operacionit të saj.
“Je drita më e madhe në jetën time dhe me ty pranë, errësira nuk ka shans të fitojë”, i ka thënë ylli të birit.
Ajo ka shtuar se ndonëse i duhet të kalojë edhe një operacion tjetër, tani është koha që të jetë mirënjohëse.
“Kam ende rrugë për të shëruar dhe më pret edhe një ndërhyrje tjetër që këto ‘kushërirat’ t’i bëj të duken si ‘motra’. Por tani është koha e falënderimeve dhe po e ndërroj emrin tim në ‘LopJess Monster’”, ka shkruar Jessie.
Këngëtarja e hitit “Do it Like a Dude”, e kishte ndarë për herë të parë lajmin për diagnozën me kancer të hershëm të gjirit më 3 qershor, përmes një videoje në Instagram. Ajo pati treguar se e kishte pasur të vështirë të vendoste nëse duhej ta ndante me publikun apo jo.
“Kam qenë në dilemë nëse ta ndaj apo jo këtë me njerëzit. Por e ndjeva të nevojshme ta bëj, sepse gjithmonë kam ndarë gjithçka që kam përjetuar në jetën time”, ka thënë Jessie.
Ajo tutje pati theksuar edhe rëndësinë e faktit që kanceri ishte zbuluar herët.
“Dua të nënvizoj fjalën ‘herët’. Kanceri është i tmerrshëm në çdo formë, por po mbaj fort fjalën ‘herët’. Kam qenë në analiza të vazhdueshme gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Jessie ka pranuar se ishte ende në proces për të përballuar emocionalisht këtë përvojë, por vendosi të flasë hapur me fansat e saj.